Papa Françesku: Thashethemet, një murtajë më e keqe se Covid-19

Papa Françesku ka dënuar edhe një herë thashethemet, duke i përshkruar ato si një “murtajë më e keqe se Covid”, gjatë lutjeve të tij të Dielën.

Papa gjithashtu tha se djalli është një thashethemexhi që synon të ndajë Kishën Katolike.

“Thashethemet mbyll zemrën e komunitetit, mbyll unitetin e Kishës. Thashethemexhiu më i madh është djalli, i cili gjithmonë përpiqet të thotë gjërat e këqija të të tjerëve, sepse ai është gënjeshtari që përpiqet të përçajë Kishën, të tjetërsojë vëllezërit e tij. Ju lutem, vëllezër dhe motra, ne të bëjmë një përpjekje për të mos bërë thashetheme. Thashethemet janë një plagë më e keqe se Covid,” shtoi ai.

Nuk është hera e parë që Papa bën vërejtje kaq të forta mbi thashethemet. Në 2016, ai paralajmëroi priftërinjtë dhe murgeshat që të mos ushqejnë “terrorizmin e thashethemeve”, duke i inkurajuar ata t’i rezistojnë tundimit për të përhapur fjalë dhe përralla brenda komunitetit të tyre.

“Nëse ju vjen një dëshirë për të thënë diçka kundër një vëllai ose një motre, për të hedhur një bombë thashethemesh, kafshoni gjuhën!” tha ai.

Pandemia ndryshoi rrënjësisht mënyrën e funksionimit të Vatikanit, duke e detyruar Papën të kremtojë meshën e së Dielës në një kishë të zbrazët.

Pas muajsh bllokimi, adhuruesit u kthyen në Sheshin e Shën Pjetrit në Qytetin e Vatikanit në fund të majit.

Papa mbajti audiencën e tij të parë publike që kur filloi pandemia të Mërkurën dhe e përdori ngjarjen për të thirrur solidaritet në luftën me Covid-19.