Papunësia në rritje

Një pjesë fabrikave të tekstilit, punëtorët e gastronomisë dhe hotelerisë, zejtarisë dhe degëve të tjera ekonomike janë ndër më të goditurit nga pandemia dhe rrezikojnë edhe mbylljen e kapaciteteve dhe rritjen e numrit të punëtorëve të papunë në vend. Të gjithë ata janë jo vetëm në pritje të një ndihme më të madhe të shtetit, pagesës së pagave minimale për muajt shkurt dhe mars nga ana e shtetit, por edhe lehtësimit dhe mbështetjes së mëtejshme me qëllim që të mbijetojnë këtë periudhë të vështirë ekonomike. Të rrezikuara janë vendet e punës në sektorin e tekstilit që punëson mbi 35 mijë punëtorë, në sektorin e gastronomisë që punëson mbi 30 mijë të punësuar etj. Kohë më parë, edhe Oda e zejtarëve ka kërkuar të ndërmerren hapa për të tejkaluar situatën në këtë degë ekonomike të shkaktuar nga pandemia. Ato ndër të tjerash kanë kërkuar të lirohen nga pagesa e kontributeve përderisa zgjat pandemia, subvencionimin e pagave për të gjitha zejtarët, përfshirjen edhe të zejtarëve në linjat kreditore, si dhe të ndihmave të tjera qeveritare. Njëherësh, sipas të dhënave të fundit të Drejtorisë për të Ardhura Publike, gati dhjetë për qind e kompanive nuk kanë paguar pagat e muajit shkurt. Bëhet fjalë për 7000 punëdhënës nga sektori privat që presin ndihmat nga pakoja e pestë ekonomike. Në muajin shkurt, sipas DAP, pa paga kanë mbetur 16.883 punëtorë. Njëherësh në vitin e kaluar shteti ka ndihmuar me 135 milionë euro pagat dhe kontributet.

TURIZMI DHE HETOLERIA, MË TË GODIRAT

Në ndërkohë, nga Sektori i gastronomisë që për dy javë do të jetë i mbyllur për të vendosur nën kontroll zgjerimin e pandemisë pret edhe ndihmën më të shpejtë nga ana e qeverisë.

Nga Lidhja e Odave ekonomike të Maqedonisë thonë se në rast se urgjentisht nuk paguhet mbështetja e pagave e parashikuar me pakon e pestë, si dhe nuk sigurohet ndihmë financiare direkte dhe e pakthyeshme për këto – sektorë që e kanë të imponuar të mos punojnë si rrjedhojë e masave shtrënguese, ekziston rreziku që turizmi dhe hoteleria që janë fuqishëm të goditura nga kriza shëndetësore-ekonomike të dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme dhe të mbyllen një numër i madh i bizneseve të kësaj dege. “Në kushte kur objektet afariste janë të detyruara që vetë të gjinden, rrugëdalja kërkohet në uljen e harxhimeve që në kushte kur nuk ka aktivitet afarist, nënkupton zvogëlimin e vendeve të punës. Njëherësh theksojmë se nëse lejohet që të mbyllen vendet e punës, do të nevojiten shumë më shumë mjete dhe kohë, për hapjen e sërishme të tyre, seç tani nevojitet për anulimin e tyre, dhe shtrohet çështja a do të hapen ato sërish, nëse tani mbyllen”, thotë Ana Marija Aleksova, nga Oda Turistike e kësaj shoqate të biznesit.

Nga ana tjetër, javën e kaluar mbi 6000 punëtorë të tekstilit janë dërguar në shtëpi në pushim kolektiv që do të zgjasë dy javë. Fabrikat e këtij sektori në Shtip, Prilep dhe Koçanë kanë arsyetuar një vendim të tillë me faktin se nuk kanë as porosi të reja për punë, dhe as ndihmë shtetërore për pagesat e pagave që akoma nuk është votuar në Kuvend. “Shpresojmë që punëtorët do ti kthejmë sërish në punë. Në rast se mbetet një tabllo e tillë e zezë, vlerësoj se një pjesë e tyre as nuk do të kthehen në punë. Megjithatë, do të duhet të presim dhe shohim se çka do të sjellë e ardhmja”, thotë Kiril Nashkov, nga Klasteri i Tekstilit në Shtip. Sipas tij, në vend që të flitet për shpëtimin e kompanive, duhet të flitet për shpëtimin e vendeve të punës. Në rast se fitohet ndihmë nga shteti sipas të gjitha gjasave shumë vende pune do të shpëtohen, për shkak se kompanitë do të jenë në gjendje të shpëtojnë vendet e punës, mirëpo në rast se nuk ka ndihmë , harxhimet janë shumë të mëdha dhe kompanitë e kanë të vështirë ti rezistojnë një situate të tillë.

PËRPJEKJE PËR NDIHMË SHTESË

Nashkov shton më tej se ekzistojnë në Shtip edhe fabrika të vogla të tekstilit që i kanë vendosur drynin dyerve të tyre, ndërsa punëtorët e tyre janë të papunë. Thënë ndryshe, kompanitë e mëdha kanë filluar të ulin numrin e të punësuarve, ndërsa ato që punësojnë deri në 50 punëtorë në një pjesë të madhe janë mbyllur. Biznes sektori pret që ndihma shtetërore për shkak së situatës së krijuar të vazhdojë deri në muajin qershor. Në ndërkohë, ministri i Financave, Fatmir Besimi, thotë se është çështje ditësh dhe gjithmonë bëhen përpjekje që masat të arrijnë sa më shpejtë deri te ekonomia dhe qytetarët, ndonëse jo gjithmonë mund të arrihet kjo duke marrë parasysh procedurat për ndryshimet ligjore. Lidhur me masat për gastronomët, palestrat, qendrat sportive dhe bastoret pritet që kësaj jave të shpallen masat, apo modelet e dëmshpërblimit. “Së shpejti, këto veprimtari, si dhe afaristët e tjerë të prekur nga kriza, si dhe qytetarët, do të jenë në gjendje të presin edhe masat nga Paketa e pestë që janë në procedurë parlamentare. Një pjesë e afateve janë shkelur, por do të bëhen përshtatje përmes amendamenteve në mënyrë që të njëjtat të shfrytëzohen. Kështu për shembull, te masa e mbështetjes financiare për pagesën e pagave, punëdhënësve do t’u jepet mundësia të aplikojnë njëherësh për të dy paga – atë të shkurtit dhe të marsit. Afati i masës për mbështetje financiare për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve gjithashtu do të shtyhet deri në fund të këtij muaji”, thekson Besimi. Sipas tij, qëllimi është që masat të mbërrijnë te qytetarët dhe ekonomia dhe të japin efektin ekonomik dhe social për shkak të së cilit të njëjtat janë miratuar. Ai shton se masat japin rezultate, siç kemi parë edhe nga realizimi i mëparshëm i katër paketave. Stimuli qeveritar kontribuoi në amortizimin e dyfishtë të rënies ekonomike vitin e kaluar, më saktësisht, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, ajo është amortizuar për 4,2 pikë procentuale, respektivisht pa masat rënia do të kishte arritur madje 8,7 për qind.

Ndryshe, analizat e ekzekutivit tregojnë se në kuadër të katër paketave për të ndihmuar biznesin dhe qytetarët që më të lehtë të kapërcejnë krizën e shkaktuar nga pandemia, , janë miratuar rreth 70 masa të ndryshme. Totali i masave që u janë vënë në dispozicion qytetarëve dhe ekonomisë në të holla është 860 milionë euro ose 82 për qind e planit të përgjithshëm për shumën e masave. Sipas paketave , ajo e para e masave anti-krizë është zbatuar me 90,1 për qind, paketa e dytë e masave është zbatuar 100 për qind, paketa e tretë 75,4 për qind dhe paketa e katërt 72,7 për qind. Njëherësh , nga Ministria e Financave thonë se disa nga masat nga paketa e tretë dhe e katërt janë duke u realizuar gjatë këtij viti, në mënyrë që zbatimi i përgjithshëm i masave në raport me planin të mund të rritet dhe madje të arrijë deri në 99 për qind të zbatimit. Ndryshe, numri i të papunëve që kërkojnë punë nga fillimi i pandemisë është rritur në 50 mijë persona tregojnë të dhënat e Agjencisë së Punësimit. Mirëpo nga ky dikaster thonë se zyrtarisht deri në muajin shkurt , numri i të personave që kanë mbetur pa punë si rrjedhojë e pandemisë është 18.266. (koha.mk)