Çështja ndërlikohet më tej nga situata në Sirinë veriore, ku forcat kurde të Forcave Demokratike Siriane (FDS) dhe milicia e tyre kryesore, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), kontrollojnë një rajon autonom përgjatë kufirit me Turqinë. Ankaraja i konsideron këto forca si degë të PKK-së dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare
Procesi i paqes midis qeverisë turke dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) po përballet me vështirësi serioze, pavarësisht sinjaleve të fillimit të një epoke të re. Në fillim të vitit, lideri i burgosur kurd Abdullah Öcalan shpalli fundin e luftës së armatosur dhe urdhëroi luftëtarët e PKK-së të tërhiqeshin nga territori turk. Në korrik, një pjesë e njësive të armatosura dorëzuan armët dhe u zhvendosën në malet e Kandilit në veri të Irakut, duke ngritur shpresa për një zgjidhje të qëndrueshme të “çështjes kurde”.
Megjithatë, pas këtij optimizmi fillestar, procesi i paqes mbetet i brishtë dhe pa garanci. PKK-ja nuk ka marrë asnjë ofertë konkrete politike nga qeveria e Rexhep Tajip Erdoganit dhe nuk ka sinjale për përfshirjen e saj në jetën institucionale turke. Po ashtu, mungojnë hapa të dukshëm për zgjerimin e të drejtave civile të popullsisë kurde, përfshirë njohjen e gjuhës kurde si gjuhë zyrtare. Sipas studiuesit Ozcan Yilmaz nga Universiteti i Gjenevës, Ankaraja po qëndron në pritje që shërbimet e inteligjencës të konfirmojnë shpërbërjen e plotë të PKK-së përpara se të ndërmarrë hapa të rinj politikë. Në të njëjtën kohë, parlamenti turk ka miratuar një mandat të ri që i jep ushtrisë të drejtën për të zhvilluar operacione përtej kufirit kundër PKK-së dhe Shtetit Islamik në Irak dhe Siri për tre vitet e ardhshme.
Çështja ndërlikohet më tej nga situata në Sirinë veriore, ku forcat kurde të Forcave Demokratike Siriane (FDS) dhe milicia e tyre kryesore, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), kontrollojnë një rajon autonom përgjatë kufirit me Turqinë. Ankaraja i konsideron këto forca si degë të PKK-së dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Pavarësisht afërsisë ideologjike me PKK-në, YPG-ja dhe FDS-ja kanë refuzuar të zbatojnë urdhrin e Öcalanit për çarmatim, duke e cilësuar atë si “çështje të brendshme” të PKK-së. Kjo ka përforcuar mosbesimin e Turqisë, e cila dyshon se autonomia kurde në Siri mund të kthehet në model për kurdët e saj. Në terren, tensionet mes forcave kurde dhe trupave qeveritare siriane po shtohen. Edhe pse në mars u nënshkrua një marrëveshje për integrimin e administratës dhe forcave kurde në strukturat shtetërore siriane, mosbesimi mbetet i thellë. Përplasjet e armatosura janë shtuar në provincat Hasake dhe Raka, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për provokime.
Turqia ka paralajmëruar se do të mbështesë Damaskun nëse çështja e integrimit të rajonit autonom nuk zgjidhet deri në fund të vitit, madje edhe përmes një operacioni ushtarak. Sipas burimeve të Bloomberg, zyrtarët turq janë të gatshëm të furnizojnë ushtrinë siriane me pajisje ushtarake në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar gjatë verës, që lejon goditjen e militantëve kurdë përgjatë gjithë kufirit.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se një ndërhyrje e re ushtarake turke në Siri do të rrezikonte të shembte të gjithë procesin e paqes me PKK-në, i cili me vështirësi kishte filluar të japë rezultate. “Një ofensivë e madhe kundër kurdëve në Siri do të shënonte fundin e procesit. Për PKK-në, kjo do të ishte dëshmi e dështimit total”, thekson studiuesi Ozcan Yilmaz. Në këtë klimë pasigurie, Turqia gjendet në një udhëkryq delikat: të zgjedhë mes dialogut politik për zgjidhjen e çështjes kurde ose rikthimit në ciklin e dhunës që ka tronditur vendin për më shumë se katër dekada.