Para zgjedhjeve të 2020-ës, shumë demokratë anojnë nga e majta

0

Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders është i fundit mes demokratëve të shumtë që hyri në garën presidenciale për zgjedhjet e vitit 2020.Zoti Sanders dhe disa demokratë të tjerë në garë kanë pikëpamje progresiste për çështje si ekonomia, mjedisi dhe kujdesi shëndetësor.Presidenti Donald Trump dhe disa republikanë kanë reaguar duke thënë se Partia Demokrate po shkon drejt socializmit, duke përgatitur terrenin për një betejë të ashpër ideologjike vitin e ardhshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell më shumë nga Uashingtoni.

Nga Kamala Harris tek Cory Booker tek Elizabeth Warren, kandidatët demokratë presidencialë po i mobilizojnë votuesit në fushatë.
“Mund ta fitojmë këtë betejë. Të ëndërrojmë, të luftojmë dhe të fitojmë”, tha në një tubim të fushatës, senatorja demokrate, Elizabeth Warren. Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, i vetëquajtur demokrat socialist, është demokrati i fundit që hyn në fushatë. “Fushata jonë është për të krijuar një qeveri dhe një ekonomi që i shërben shumicës, jo vetëm disave”, tha ai.

Kjo energji progresiste është gjithashtu e dukshme tek anëtarët e rinj demokratë të Kongresit, si përfaqësuesja e Nju Jorkut, Alexandria Ocasio-Cortez, që ka propozuar një plan të gjerë për mjedisin.

“Jam shumë e entusiazmuar që do ta zhvendosim vendin tek e ardhmja, dhe nuk do të frenohemi nga e kaluara jonë”, tha ajo. Por theksi i demokratëve tek planet e mëdha për mjedisin, taksat ndaj të pasurve dhe zgjerimi i programeve qeveritare për kujdesin shëndetësor ka shkaktuar readime të ashpra nga republikanët dhe Presidenti Donald Trump.