Paraburgim për dy shantazhuesit, kryeprokurores i konfiskohet telefoni, tronditet Prokuroria Speciale?!

0
Foto e huazuar nga portali Lider

Në Maqedoninë e Veriut orëve të fundit ka tronditur drejtësinë, gjegjësisht Prokurorinë Speciale rasti i shantazhit të një të akuzuari nga Prokuroria Speciale nga ana e pronarit të televizionit 1TV në Shkup, Bojan Jovanovski – Boki 13 dhe një biznesmeni Zoran Milevski i njohur si Kiçeec. Po për këtë rast në shënjestër është edhe kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale, Katica Janeva, e cila dje ka dhënë dorëheqje. Prokuroria e Përgjithshme Publike nuk ka përmendur emrin e saj, por tha se është pjesë e hetimeve dhe se i është konfiskuar telefoni celular, informon INA.

Dyshimet pritet të nxjerrin një rrjet të tërë të organizuar, dhe se prokurorja Vilma Ruskovska tha se ditëve në vijim do të ketë detaje të tjera. Ajo bëri të ditur mbrëmë se ndaj Boki 13 dhe Milevskit është shqiptuar masë paraburgimi prej 30 ditëve, të dyshuar për shantazh dhe përfitim parash përmes veprimeve joligjore. Boki 13 ngarkohet edhe me veprën penale pastrim parash. Prokuroria ka urdhëruar bastisjen e zyrës së tij në televizionin 1TV, por edhe shtëpinë e prindërve, pasi që babai i tij në dokumente figuronte si pronar i televizionit. Dy të dyshuarit në dy raste kanë marrë 1,5 milion euro nga 8 milionë të kërkuara nga një person, i cili ishte i ngarkuar me vepër të rëndë penale nga Prokuroria Speciale, në rastin “Perandoria”.

Prokuroria Ruskoska tha se për këtë ka dëshmi, përfshirë edhe video-materiale, por ajo nuk bëri të ditur identitetin e personit të shantazhuar. Por portalet e ndryshme thanë se bëhet fjalë për Orce Kamcev, pronarin e disa kompanive dhe bizneseve, si spitali “Sistina”, “Orka”, etj. Ngjarja ka ndodhur nga nëntori i 2018 deri në prill 2019, ku i akuzuari i parë duke shfrytëzuar ndikimin e tij ndaj prokurorit publik ka ndikuar në veprimet e prokurorisë speciale, ku janë ndërmarrë masa lehtësuese ndaj të dyshuarit, nga i cili kanë përfituar paratë. Në takimet e para janë kërkuar 8 milionë euro për tu ndërprerë procedura hetimore, ndërsa në rast se nuk do të ndërpritej, do të kishte masa lehtësuese dhe se për këtë duhej paguar 5 milionë euro. Por janë paguar vetëm 1,5 milionë euro dhe se paratë e tjera duhej të paguheshin në katër këste.
Kryeprokurorja Speciale, Katica Janeva, që dyshohet si e involvuar në këtë rast mbrëmë ka dhënë dorëheqje nga posti i saj. Ajo këtë veprim e ndërmori vetëm gjysmë ore para se të dal në konferencë me gazetarët, Prokuroria e Përgjithshme, e cila dha detajet. Janeva e zgjedhur në krye të kësaj prokurorie në shtator të 2015 nënvizoi se nuk dëshiron që emri saj të jetë shkak për përplasjet politike dhe se ajo ka kryer detyrën në interes të drejtësisë dhe sundimit të së drejtës. (INA)