Paradokset e një aderimi

0

Të aderosh në një parti politike, i bie që të angazhohesh për të ardhmen e asaj që ajo e projekton në formë programi a platforme, e jo të mbash kokën vazhdimisht në retrovizorin e historisë, ku e kaluara ka gjasa të projektohet edhe si mirazh, edhe si lavdi

Nga Emin AZEMI

Migjen Kelmendi, një emër i mirë në kultorologjinë dhe gazetarinë e Kosovës, tash së fundmi aderoi në PDK, por nga elaborimi i arsyeve dhe motiveve që bëri ai, nuk arritëm të kuptojmë nëse ai po aderon në UÇK apo në PDK. Sepse, ai gjatë gjithë kohës fliste për Kadrinë dhe Hashimin e UÇK-së, ndërkohë që elektorati ka nevojë të dijë se çka do të bëjë tash e në të ardhmen Migjeni me Kadrinë dhe Hashimin e PDK-së.

Duket joparimore të kapërcesh periudhën 20 vjeçare të veprimit politik e institucional të politikanëve, dhe të thirresh vazhdimisht në meritat e tyre të luftës, të cilat kanë qenë për çdo lavdëratë. Mirëpo, ata tash nuk janë më në luftë. Ata ka kohë që bëjnë politikë, kurse e jona është të bëjmë analiza se çfarë politike kanë bërë. Nuk rezulton e logjikshme ta fusësh në ngrirje të thellë kujtesën për këto 20 vite politikë, dhe përmes një bypassi jo logjik, të lidhesh me një periudhë pararendëse, e cila, në fakt, ishte produkt i përpjekjeve të përbashkëta dhe askush nuk ka monopol mbi atë periudhë për të cilën fliste Migjeni.

Arsyeja pse dikush aderon në një parti politike janë të shumta, madje edhe tepër personale, por zakonisht janë programi, rezultatet e qeverisjes, cilësia e lidershipit etj. etj. Migjen Kelmendi me rastin e aderimit në PDK fare nuk foli për këto gjëra. Ai parapëlqeu të na thotë se sa të zotë ishin në luftë K.Veseli dhe H. Thaçi, por harroi (apo u bë se harroi) të na tregojë se çfarë politikanësh janë ata sot. Sepse, nëse dikush do ta votojë Migjenin, sigurisht do ti interesoj të dijë se me çka do të jetë e ndryshme PDK e djeshme (të cilën e kritikonte Migjeni) nga PDK e nesërme (ku ai po aderon) dhe cilat do të jenë adutetkryesore të lidershipit të kësaj partie për të mos përsëritur stilin e qeverisjes së deritanishme? Apo, ndoshta një parti politike bëhet e mirë, e butë, engjëllore, vetëm atëherë kur ne aderojmë në të.
Janë edhe shumë pyetje të tjera, të cilat njerëzve ju interesojnë të bëjnë diferencën esenciale në mes të meritave të luftës dhe keqpërdorimit të atyre meritave për interesa personale e grupore. Sa ka qenë imune PDK nga këto dukuri dhe a ka të ngjarë që ato merita të luftës, për të cilat flet Migjeni, të jenë transformuar dhe deformuar (me dhe pa dëshirë) në periudhën e mëvonshme të politikës, e cila ka qenë jo pa sfida dhe jo pa vështirësi natyrash të ndryshme.

Të aderosh në një parti politike i bie që të angazhohesh për të ardhmen e asaj që ajo e projekton në formë programi a platforme, e jo të mbash kokën vazhdimisht në retrovizorin e historisë, ku e kaluara ka gjasa të projektohet edhe si lavdi edhe si mirazh. Por lavdia mbetet vetëm një “bukurshkrim” në ditarin e kujtimeve tona, ndërkohë që në zgjedhje dilet për të votuar të ardhmen dhe sidomos njerëzit inteligjentë e të guximshëm, të cilët nuk e bartin të kaluarën si bankomat në shpinë për të shlyer borxhet për punët e pabëra të politikës.
“Politika është më e rrezikshme se lufta, sepse në luftë ju vriteni veç një herë”, thoshte Çerçili i madh. Marrëdhënie e shqiptarëve me luftën kanë qenë gjithmonë të barasvlershme me idealin dhe sakrificën për lirinë e përbashkët, por disa që vazhdimisht thirren në meritat e luftës nuk kanë kurajo ta pranojnë mospasjen e tyre kontakt me realitetin, i cili është shumë zhgënjyes pikërisht për shkak të politikave të tyre të dobëta në ekonomi, zhvillim, arsim, shëndetësi, politika sociale e agrare etj. Rreziku i marrjes me politikë, sipas Çerçilit, nuk qëndron se dikush mundet të ta kurdis ndonjë aksident trafiku me ndonjë kamion plot zallë, por në raportin që ish-luftëtari ndërton me realitetin (apo ata që flasin në emër të ish luftëtarëve), ku ai do të paraqitej si fisnikërues apo deformues i tij.
Se politika është më e rrezikshme se lufta, këtë po e dëshmon edhe bilanci i ‘vrasjeve’ që po ndodhin në milen tonë socio-politik, ku viktimë zakonisht janë njerëzit të cilët besuan se politika është një algoritëm dinamik që bënë shndërrimin e mjerimit në mirëqenie. Por ata nuk kishin besuar se luftëtarët e zakonshëm do të shndërrohen në heronj të trofeve që i prodhon paqja e pas luftës. Kushdo që të jetë ai luftëtar, nëse nuk arrin ta ruaj shoqërinë nga ambiciet dhe lakmitë e tij personale, ai është i destinuar të vdes për së gjalli.

Po shpresojmë që këtë rrezik të mos e ketë relativizuar edhe Migjen Kelmendi, madje edhe për shkak të qëndrimeve tepër kritike të tij në të shkuarën ndaj këtyre dukurive. Vokacioni prej artisti nuk e lejon njeriun të huazoj syza që deformon realitetin. Migjenit i kanë mjaftuar syzat e deritanishme të bëjë diferencën në mes të asaj që ai ka kritikuar në të kaluarën dhe motiveve për të aderuar në një subjekt politik. Nuk po besojmë që ai të ketë pasur dy palë korniza për të njëjtat syza.