Paralajmërimi i Matoshi se rasti “Monstra” është i montuar

0

Lajthitja fatale e inteligjencës maqedonase – Halil Matoshi

Vrasjen e qytetarëve të pafajshëm në Smilkovc e “parapërgatiti” (nëse nuk është vet ekzekutori?) shërbimi inteligjent maqedonas për të pasur shkas për t’i goditur qytetarët shqiptarë dhe për t’i “përzënë” ata nga shteti “antik” të cilin e duan një-etnik. Dhe e gjetën formulën magjike: Goditi shqiptarët dhe thuaj për ta se janë islamistë radikalë, kjështu tërë botën e ken ë krah. Edhe thirrjet “Allahu-Ekber” nga do qytetarë shqiptarë me identitet konfuz, rrugëve të Shkupit, janë të orkestruara nga kjo inteligjencë infantile, për ta kompozuar mozaikun, të cilit nuk ka për t’ia dalë: “I kapëm shqiptarët e Al-Qaedas!”

Gjithçka shkoi sipas një skenari, tashmë të parë në Ballkan, “për vrasje popujsh”.

Së pari ia nis me terror verbal, akuzo, akuzo, akuzo… të tjerët, ngriti bandat nacionaliste të sulmojnë qytetarët e vënë në shënjestër dhe ndal e prit kundërreaksionin. Pastaj fabrikoje një fajtor kujdestar ideal, por kujdesu që ai të jetë i besueshëm për Perëndimin. Dhe shërbimet sekrete maqedonase e “gjetën” fajtorin, i cili kundërgoditi, po ashtu duke vrarë qytetarë të pafajshëm maqedonas: Grupet islamike radikale!?

Përrallë më e pështirë nuk është dëgjuar në këto humbëtira gjeografike.

Vrasësit e pesë qytetarëve në Smilkovc të Shkupit ndodh as të mos jen kapur fare, por ata nga një shtet policor janë paragjykuar.

Ata paraprakisht dhe domosdoshmërisht për logjikat e shteteve policore (paranojake) janë shqiptarë!???

Fillimisht hamendësimet shkonin nga ish-guerilja shqiptare, UÇK, pastaj sikur shteti maqedonas u tremb nga konflikti i brendshëm dhe reperkusionet ndërkombëtare dhe e hodhi gështenjën e nxehtë te grupet islamike radikale, që më së paku janë të implikuara në këtë rast tragjik. Madje fillimisht policia e Gruevskit pretendonte se të dyshuarit po fshiheshin në shtetin fqinj, Kosovë. Por shpejt ndodhi kthesa dhe ky informacion u hesht.

Madje së voni ministrja e policisë Jankullovska deklaroi se nuk ka informacione plotësuese që mund të informojë opinionin. Pra nuk i shkoi rrenës deri në fund.

Operacioni i policisë, i koduar si “Monster” i shkon më së miri vetë shërbimit sekret maqedonas, pra një dore të padukshme, monstruoze!?

Sepse ndoshta nga frika e reagimit të vendosur të BDI-së (që është pasardhëse e UÇK-së) që  mund të dilte nga Qeveria, Shkupi zyrtar u step. Duhej adresuar faji tjetërkund dhe, më lehtë se goditja e islamit radikal aktualisht nuk ka, sepse mbi ta është vënë stigma, e përmasave globale. Kështu, qytetarët do të mashtroheshin, se u kapën kriminelët, Gruevski mund ta vazhdojë qeverisjen me Ali Ahmetin, askush nuk e paguan çmimin, pos që shiten lirë lëkurat e do shqiptarëve konfuzë, që i japin vetë shkas shtetit brutal t’i survejojë, madje edhe t’i ketë në shënjestër, vetëm pse ata i përkasin fesë islame dhe këtë e manifestojnë ndoshta në mënyrë më të zhurmshme se gjithkund dhe gjithherë ndër shqiptarët, të cilët as kur nën udhëheqjen e Isa Boletinit e Hasan Prishtinës e çliruan Shkupin dhe e ngritën flamurin shqiptar në Shkup më 1910 nuk brohoritën “Allahu-Ekber” dhe nuk nxorën flamujt jeshilë të islamit.

Pas bastisjeve dhe arrestimeve të shumta të shqiptarëve etnikë, shteti policor u step, sepse nuk po mund të hartonte akuza aq të rënda, për terrorizëm, sipas operacionit “Monster”, sepse ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme e Gruevskit ka pranuar se nuk ka gjetur armët me të cilat është shtënë në pesë viktimat e vrara më 12 prill 2012 pranë liqenit të Hekuranës në fshatin Smilkovc të Shkupit.

Ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska, deklaroi se edhe ekzistojnë dëshmi materiale të mjaftueshme, që janë konfirmuar si cilësore edhe nga prokurori, përmes të cilave mund të formohet aktakuzë që do të ngarkojë personat e dyshuar si kryerës të veprës ‘terrorizëm’. Ndërkohë një burim nga prokuroria maqedonase zbulon se “provat janë tejet të zbehta.”

Do si do “Monstrumi” duhet ta hajë me dhëmbë dikë, këdo qoftë, vetëm të shpëtohet dora e zezë e shtetit pa u zbuluar.

Shkupi zyrtar me politikat e tij etnonacionaliste, duke ngjizur një shtet kishtar ortodoks dhe duke përjashtuar nga debati shtetin qytetar, po rrëshqet nga një lloj i ri i fashizmit (fashizëm kulturor), i cili do t’i kthehet si bumerang, duke e ndarë këtë shtet në rrafshin kulturor dhe qytetar, e pastaj edhe etnik dhe shtetëror.

Në këtë sfond tejdukshëm vërehet se spiunët e Nikola Gruevskit motivuan dhe nxitën incidente ndëretnike, veçanërisht duke yshtur nacionalistët e rinj të Shkupit kundër qytetarëve shqiptarë, për dy arsye të kalkuluara dhe një arsye fiktive.

Së pari, për ta zhvendosur vëmendjen e publikut sllavo-maqedonas nga koncesioni që detyrohen t’ia bëjnë Greqisë rreth emrit kushtetues të shtetit dhe, së dyti, që përmes rrahjes dhe poshtërimit të shqiptarëve ta mobilizojë dhe homogjenizojë nacionalizmin maqedonas si kundërpërgjigje ndaj zërave që vijnë nga Sofja zyrtare, se shteti i Gruevskit dhe nacionalistëve të rinj rreth tij po i diskriminon bullgarët etnikë, por edhe të zmbrapsë nacionalizmin shqiptar që thërret për një Shqipëri etnike.

Kështu kryeministri Gruevski mësyn rritjen e patriotizmit maqedonas dhe t’i zbehë ndjenjat pro bullgare të shumicës prej tyre në kurriz të shqiptarëve, të cilët të shtyrë në margjina mund të rebelohen dhe eventualisht t’i cenojnë edhe interesat e vet shqiptarëve kosovarë.

Dhe së treti, vjen në pah një bashkëpunim i heshtur me shtetin policor serb (dy policitë e kanë të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në ndjekje të terrorizmit) për ta vënë bashkërisht në shënjestër stabilitetin e Kosovës, me kusht që Shkupi zyrtar ta fshehë dorën, për t’u shitur karshi Prishtinës si një “lavire e respektueshme.”

Mirëpo, favoret e projektuara, por të kalkuluara keq e kanë zënë në kurth Shkupin zyrtar. Ndonëse synimi është i qartë. Të goditen shqiptarët, të margjinalizohen ata para çdo mundësie për t’u integruar në BE, duke i stigmatizuar ata si islamikë radikalë dhe pjesëtarë të “Al-Qaeda-s”. Kësisoj Gruevski ka përllogaritur se goditja e shqiptarëve që falen dhe i luten Zotit, zvogëlon potencën e qytetarisë shqiptare për reagim dhe kërkesa institucionale, ndërkaq që rrit reaksionin e grupeve proislamike dhe më këtë shteti fiton legjitimitet për luftë ndaj shqiptarëve në emër të luftës globale antiterror.

Por kjo lojë policore do të prodhojë kundërefekt. Do të rritet nacionalizmi qytetar shqiptar dhe do të margjinalizohen grupet e proviniencës së islamit politik, sepse goditja e Shkupit është në thelb e orientuar nga forcimi i faktorit të moderuar shqiptar.

Këtë, besohet se do ta kuptojnë shpejt në rend të parë qytetarët shqiptarë dhe të ulen e të mendojnë gjatë, ftohtë e pa zjarr.

Por mundësitë e Shkupit zyrtar për të reflektuar duken se janë shterur.

Shteti është zvetënuar nga sëmundja e fashizmit.

Klasa politike shqiptare dhe elitat kulturore në Maqedoni duhet t’i zbërthejnë këto kode të fshehta dhe të organizohen në bazë qytetare për vetëmbrojtje edhe nga shteti policor edhe nga etiketa e islamit radikal. Prandaj faji më i madh bie mbi partitë politike të shqiptarëve, e posaçërisht mbi BDI-në që nuk artikulon dot kërkesat e shqiptarëve dhe nuk kontrollon dot skenografinë neootomane, përkatësisht islamin politik. Këto parti shqiptare është dashur qytetarisht t’u prijnë protestave paqësore në Shkup, duke mënjanuar skenografinë islame nga një protestë e ligjshme e për të protestuar qytetarisht kundër terrorit policor dhe jo të sillen si vëzhgues pasiv nga zyrat e Qeverisë së Shkupit.

Kjo është e pafalshme, joetike dhe nxjerrje e flamurit të bardhë para dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve. (INA)

maj- 2012 (Nga arkivi i agjencisë së lajmeve INA)

Komentet

komentet