Paraqitja vazale e përfaqësuesit shqiptar nga Tirana në konferencën ekonomike rajonale të Shkupit

Bardhyl Dauti

Komunizmi shqiptar i prejardhur historikisht nga PKSH-PS, kjo doktrinë me jetëgjatësi politike disa dekadëshe, e palustruar në vitet e pluralizmit (pasi që asnjëherë nuk u hapën dosjet për të), duke bë tur e vrap nga e ardhmja dhe ekonomia, përmes neo-bolshevikëve shqiptar, kërkon me çdo kusht të prodhojë dosje të reja tradhëtie kombëtare.

Këta, njëjtë si në vitin 45 që thanë “Të pastrojmë punë me fashistët njëherë, mandej meremi vesh drejtë për punët tona”, me ç’rast e lan Kosovën e viset tjera në ter e fer dhe u bënë hisetarë në masakrën e Tivarit dhe në shumë masakra e projekte tjera antishqiptare në emër të ideologjisë famëkeqe marksiste-leniniste, edhe tani e bëjnë të njëjtën punë, pra mashtrojnë. Thuajnë, njëherë të ndërtojmë të ardhmen me ekonomi në emër të integrimit “MINI-OPEN”, pastaj e bëjmë politikën aktuale, sepse politikën e kaluar nuk duan ta lustrojnë, pasi që plas e vërtata e hidhur për ta.

Krye bolsheviku shqiptar që flet për “masalle me sulltana” në konferencën ekonomike rajonale të Shkupit, si duket haron që vetëm politika e shëndoshë sjell të ardhme ekonomike dhe jo e kundërta. Pra, ky me qëllim zëvendëson politikën strategjike afatgjatë me ekonominë pragmatike afatshkurtër (që sipas tij matet me minuta pritjeje të maunëve në dogana), edhe pse të gjithë evidencat empirike mbështesin kauzalitetin ekonomik të shkaktuar nga politika e shëndoshë dhe jo të kundërtën.

Krye bolsheviku shqiptar ka detyrim kushtetues të meret me MAKRO shengenin shqiptar, ashtu siç i tha kryeministri i Kosovës në Tiranë, në formën dhe përmbajtjen e përshtatshme dhe jo të bëj zëdhënësin e një politike tjetër, ndërkaq ky çdo samit mini-shengeni e shfrytëzon për të sulmuar politikisht Kosovën. Çfarë nën-përfaqësimi, përveç se me veshje, tani edhe me masallat e tij; flet për lëvizje të lirë, ndërkohë që shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit Ju pasivizohen adresat e vendbanimeve nga “shoku” i tij, Vuçiç; Çfarë paradoksi, habitet me malazezët e boshnjakët pse nuk i bashkohen nismës trilaterale MINI, ngase kanë të njëjtën histori politike dhe deri diku kulturore e etnike me dy anëtarë tjerë të saj, ndërkohë që ky Jugosllafo-fil i ri si anëtarë i tretë që vetëm biologjikisht është shqiptar dhe asesi kulturalisht e që fatkeqësisht përfaqëson shtetin shqiptar, tash më, me krenari promovon anëtarësimin e Shqipërisë në këtë nismë.

Rruga MINI – OPEN integrim është e gabuar. Kësaj rruge ju ndalua drejtimi në vitin 1981 në Kosovë. Fatmirësisht, Kosova, përsëri edhe tani pas 40 viteve, në vitin 2021 i thotë JO të madhe kësaj rruge të vogël.

Autori është profesor universitar