Paratë dhe uniformat policore a do të jenë edhe në shqip, ekspertët e Komisionit të Venecias në Shkup

0

Zbatimi i gjuhës shqipe tek paratë dhe uniformat policore në komunat me mbi 20 për qind popullësi shqiptare ka sjellë në Shkup një ekip të ekspertëve të Komisionit të Venecias. Ata sot takuan deputetë, kryeministrin Zoran Zaev dhe përfaqësues të institucioneve të tjera, për të dëgjuar palët rreth neneve që kanë hapur dilema dhe kontradikta, mes palës shqiptare dhe asaj maqedonase, përcjellë INA. Neni 8 i ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve përkufizon saktë se uniforma dygjuhësore do të ketë në Shkup si dhe në të gjitha komunat ku jetojnë komunitete tjera që nuk janë maqedonas, e që janë së paku 20% (kjo ka të bëjë kryesisht me komunat shqiptare). “Uniformat e policisë, zjarrfikësve, shëndetësisë, në Shkup dhe në komunat në të cilat 20% të qytetarëve flasin gjuhë tjetër zyrtare nga ajo maqedonase, shkruhen në gjuhë maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve të RM dhe shkrimin e saj”, parasheh propozimligji për përdorimin e gjuhëve, neni 8, alineja 3. Elemente të kulturës shqiptare do të ketë edhe në bankënota dhe monedha, kurse në dy gjuhë do të jenë edhe pullat postare. Komisionit të Venecias i është kërkuar të jap mendim lidhur me dy çështje të ligjit për përdorimin e gjuhës. Nëse komisioni jep mendim pozitiv atëherë do të kërkohet edhe inkorporimi i këtyre dy elementeve në ligjin që është në fuqi, por që këto dy elemente tani për tani nuk janë pjesë e tij.(INA)