Mërgimtarët po dërgojnë në Maqedoni mbi 361 milionë euro në vit. Sipas metodologjisë të zyrës evropiane të statistikave – Eurostat, në vend dërgohen një shumë që si vlerë është e njëjtë me 3.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mirëpo shuma totale supozohet të jetë edhe më e madhe pasi shumica e remitancave transferohen përmes kanaleve të parregulluara (dërgesat personalisht, përmes ndërmjetësve si drejtuesit e autobusëve, etj). Të ardhura më të mëdha nga remitancat ka Serbia me mbi 7 milionë banorë me 3.3 miliardë euro, pason Bosnje e Hercegovina me 1.6 miliard euro, Shqipëria me afër 1.3 miliard euro, Kosova me 1.2 miliard euro.
E shprehur si përqindje e PBB-ja e që është vlera totale e të gjithë mallrave dhe shërbimeve që janë prodhuar në një vend minus vlerën e mallrave dhe shërbimeve të nevojshme për prodhimin e tyre, në Kosovë janë dërguar 18.5 për qind, në Mal të Zi 12.5 për qind, në Shqipëri janë dërguar 9.8 për qind, në Bosnje e Hercegovinë 9.3 për qind dhe në Serbi janë dërguar 7.2 për qind.
Mirëpo nga Banka Popullore thonë se është vështirë të ofrohen të dhëna të sakta për shifrat reale që mërgimtarët dërgojnë në vendlindje. “Vlerësimet tona të bazuara në metodologjinë e harmonizuar me Fondin Monetar ndërkombëtar tregojnë se shuma e këtyre dërgesave, që nga viti 2009 e këndej tejkalon një miliard euro apo është afër 16 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, thonë nga Banka Popullore.