I pari i NATO-s për vizitë dyditëshe në Shkup

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sot mbërrin për vizitë dyditëshe në Maqedoni. Sipas paralajmërimeve, ai do të takohet me presidentin Gjorgje Ivanov, ministrin e jashtëm Nikolla Dimitrov, ministren e mbrojtjes Radmilla Sheqerinska si dhe me liderët e partive politike.

Stoltenberg nesër do të mbaj fjalim para deputetëve në Kuvend, ku më pas do të ketë konferencë të përbashkët me kryeministrin Zoran Zaev.

Fjalimi i tij në Kuvend do të ndiqet edhe nga deputetët e VMRO-DPMNE, të cilët tanimë një muaj po e bojkotojnë punën e tij. Vendimi i kësaj partie është sjellë parmbrëmë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, ndërsa porosia është që të dëshmojnë se përcaktimi strategjik i VMRO-DPMNE-së është anëtarësimi në NATO dhe BE. Kjo është vizita e parë e Stoltenberg në Shkup, para tre viteve ishte ish-sekretari Andres Fog Rasmusen.