Me 96 vota “pro” sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u miratua Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase, që është ndryshimi i parë i zgjidhjes së mëparshme ligjore që nga viti 1998.
Ligji, ndër të tjera, parasheh punësimin e detyrueshëm të lektorëve (korrektorëve) në të gjitha institucionet publike dhe organet qeveritare, institucionet shtetërore, shkolla, shtëpitë botuese dhe media, që pritet të sjellë rritje të interesimit për mësimin e gjuhës maqedonase.
Korrektimi i të gjitha materialeve do të jetë i detyrueshëm me publikimin e emrit të korrigjuesit dhe do të krijohet një inspektorat për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit.
Ligji për gjuhën maqedonase, siç theksoi ministrja e kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçeska ofron bazë ligjore për miratimin e strategjisë nacionale për gjuhën maqedonase, përmes së cilës do të ketë iniciativa të rëndësishme si bursa për nxënësit dhe studentët nga viti i katërt i arsimit të mesëm dhe të studimeve universitare, master dhe doktoraturë në drejtim të motivimit për mësimin e gjuhës maqedonase.
“Sot po bëjmë përpjekje reale në avancimin e gjuhës dhe forcimin e identitetit maqedonas. U thyen shtizat dhe u bë politika për gjuhën, por ne treguam se nuk ka kompromise me gjuhën, kulturën dhe identitetin maqedonas. Me miratimin e këtij ligji, jo vetëm që po fitojmë një ligj të ri dhe modern për gjuhën maqedonase, por edhe një shembull se si duhet të hartohet një akt juridik që është me interes të përbashkët, me një diskutim dhe bashkëpunim të gjerë publik nga të gjitha palët e interesuara”, theksoi Kostadinovska-Stojcheska.(INA)