PARTIA SI STREHË HORRASH

0

Shkëlzen Halimi

Dimërimi i gjatë që kishte kapardisur shqiptarët assesi të merrte fund. Zbehja nga kjo gjendje do të fillojë ta lëkundë drejtpeshimin. Ndaj, nga ky dimërim pa fund, shqiptarët duhej dalë sa më shpejtë, por në mënyrë të qetë, përkatësisht jo në mënyrë dramatike. Zgjimi duhej të ishte si një pikë udhëzimi për ta gjetur veten pranë të vërtetës. Natyrisht, duke qenë të kujdesshëm dhe jo duke bërë përzgjedhje të gabuar. Jo një herë ishte thënë se elitat politike shqiptare s’duhet të jepnin shembuj që të çonin te konstatimi se partia ishte strehë horrash dhe se njëherë e përgjithmonë duhet të çlirohen nga demonët e interesit. Nuk jepej asnjë shenjë se fryma e fatkeqësive shqiptare do të bëhet frymë e mësimeve, e përfundimeve serioze dhe morale.
As pluralizmi nuk e ndaloi tretjen e kombit shqiptar. Pati shumë të tillë që kishin ndjerë se ditët e vështira të komunizmit nuk kishin aguar, ndaj peshën e lehtë të ardhmërisë do ta kërkojnë gjithandej Evropës Perëndimore. Kjo ishte edhe një dëshmi se harresa e idealit të tradhtuar kishte marrë rrugën dhe se orët e liga të shqiptarëve tregonin kohën e gabuar. Në këtë katrahurë pati edhe të tillë që i kënduan agimit të shpikur të lirisë, duke himnizuar liderin. Pra, shqiptarët vlonin nga fjalët plot patriotizëm, vritnin natën e qanin ditën, duke nxjerrë në pah krijesa folklorike reale. Ajo që u kishte ndodhur shqiptarëve gjatë periudhës komuniste ishte një testament që duhej të lexohej. Por ky lexim, fatkeqësisht nuk ndodhi. Në nën-qiellin shqiptar silleshin e pështilleshin vizione të mjegullta, por që sinjalizonin se duhet lënë anash kujtesën dhe se shqiptarët duhet të mbushen me diçka të re, që është prodhim i elitave politike, të cilat këmbëngulnin se kjo do të bëjë fuqizimin e dinjitetit.
Por, në këtë mënyrë, këto elita vetëm do ta shlyejnë fajin e tyre për sherret që u kishin ndodhur shqiptarëve në kohën e “qeverisjes” së tyre. Tallja me shqiptarët do të shndërrohet në një dukuri normale, me efekt të mjaftueshëm për të arritur aty ku pretendonin këto elita, për të qenë “i pari në katund”. Të lodhur dhe të mpirë, hallexhinjtë e shumtë as që do të vërejnë se si “të parët në katund” hidhnin pudër mbi veprimet e partive të tyre, përmes makinës së fuqishme propaganduese. Kjo shpërfillje “biblike” shoqërohej edhe me zgjimin e shpifësve të rëndomtë që errësonin mbase edhe shpresat e fundit.