Partitë dhe shoqatat shqiptare as edhe një presje nuk e dërguan në Komisionin e Venecias për gjuhën shqipe!

0

“Rekomandimet e Komisionit nuk është e thënë që të zbatohen. Ta zëmë, nëse shqiptarët e maqedonasit vendosin ta bëjnë shtet federal, Komisioni nuk mund të thotë jo, se këta e kanë shpallë veten pakicë si kanë dashur maqedonasit. Komisioni jep sugjerime ekspertize, për të prerë një çështje që teoritikisht është kuptuar me dileme, ta zëmë te çështja Ilir Meta, ka shkelë apo jo kushtetutën me dekretet, dhe atë opinion e japin ekspertët e së drejtës kushtetuese,etj”, thotë për INA, njohësi i zhvillimeve politike, Nijazi Muhamedi.
Sipas tij në rastin me Ligjin për gjuhët, nuk ka të bëjë fare me ekspertizë puna dhe shihet qartë se mendimet e kujt janë marrë parasysh aty. “Tanja Karakamisheva nga Maqedonia është eksperte në këtë komision dhe se shihet qartë që përmbajtja e atij drafti me rekomandime është me prononcimet e gjithë palëve maqedonase kur e kundërshtonin Ligjin për gjuhët”, thekson Muhamedi. Ai drejton kritika edhe tek partitë shqiptare që po heshtin përballë këtyre skenareve dhe nuk kanë bërë asgjë. “E di ku është gjithë turpi shqiptar aty. Kur kërkohet një opinion tek Venecia, përveç Qeverisë, të drejtë memorandumi rreth asaj pike ka të drejtë të dërgojë edhe opozita, në këtë rast opozita shqiptare, dhe shoqatat që merren me mbrojtjen e identitetit kulturor, gjuhësor, etj, të asaj pale që i takon ajo e drejtë. Gjeji aty shqiptarët a kanë dërgue një presje, a kanë bërë reagim tek ai, askund.”, thotë për INA, opinionisti dhe publicisti Muhamedi. Sipas tij, Komisioni para se ta hartojë rekomandimin, zbret në terren dhe bisedon me të dyja palët që kanë mospajtime. Kanë qenë apo jo dhe çfarë kanë bërë në Maqedoninë e Veriut, apo kanë qenë tinëz. Andaj duhet të zbardhen bisedat e tanëve, kush ka biseduar dhe çka ka thënë. Pse opozita nuk ka reaguar nëse ata nuk janë takuar me të etj”, thekson Muhamedi. (INA)

Nijazi Muhamedi