Partitë më të vogla politike janë shprehur kundër hyrjes së ASH-së në Qeveri. Andaj skenari për hyrjen e ASH-së mund të shkaktoj dhe thellojë edhe më tepër çarjet brenda shumicës aktuale parlamentare që numëron 64 deputetë.
Partitë e vogla si LD, DOM, PLD dhe ato të komuniteteve numërojnë 8 deputetë, por përpos tyre janë edhe 3 deputetët e Alternativës si dhe deputetët e pavarur Skender Rexhepi-Zejd si dhe Kastriot Rexhepi, që tashmë i është bashkuar “Grupit të Zjarrit” të BDI-së. Po ashtu rreziku është edhe tek 2 deri 3 deputetët brenda BDI, që janë pjesë e “Grupit të Zjarrit”. Gjithë këto shifra tregojnë se maxhoranca prej 64 deputetëve mund të rrezikoj deri 14 deputetë, përcjell INA. Në këtë kombinatorik mund të hyjë edhe kreu dhe deputeti i PDSH-së, Menduh Thaci.
Por nga ana tjetër, ASH-ja ka theksuar se këtë javë do të formoj ekipin për negociata për hyrje në Qeveri, megjithatë partitë e koalicionit të LSDM, por edhe Alternativa janë shprehur kundër. Në një takim që kryeministri Dimitar Kovacevski ka mbajtur me liderët e partive më të vogla të koalicionit, ka pasur kundërshtime për përfshirjen e ASH-së në Qeveri.
Reagime ka pasur nga Lidhja Demokrate e Pavle Trajanov, DOM dhe Liberal Demokratët, bëjnë të ditur burime nga takimi.
Lideri i LD-së, Pavle Trajanov deklaroi se insistojnë në respektimin e Kushtetutës sa i përket përfaqësimit dhe se vetëm në atë rast do të mbështesin rindërtimin e Qeverisë. Trajanov beson se BDI duhet të heqë dorë nga dy poste ministrore.
“Pra përfaqësim adekuat dhe i drejtë i të gjitha bashkësive etnike në qeveri dhe në institucionet tjera. Unë qëndroj për këtë parim. Dhe nëse qeveria e re apo një qeveri e rindërtuar do të jetë e tillë, unë do ta mbështes. Përndryshe, ne si palë nuk jemi gati të pranojmë shantazhe. Partia që ka probleme me grupin parlamentar duhet ta paguajë çmimin. Tani BDI ka gjashtë pozita ministrore. Nëse dëshiron një partner të ri, atëherë duhet të heqë dorë nga dy vende. Kjo do të ishte mirë. Por në përgjithësi mendoj se përfaqësimi adekuat nënkupton diku midis pesë dhe gjashtë pozitave ministrore. Pasi që jemi të ndarë ashtu, kështu është konceptuar në Kushtetutë për përfaqësim adekuat të bashkësive etnike dhe kështu duhet të zbatohet në praktikë”, tha Trajanov. Ai shtoi se nuk ka asgjë kundër Aleancës, por se mbron respektimin e parimeve dhe Kushtetutës.
Por edhe Alternativa konsideron se nuk ka nevojë të negociohet me Aleancën për Shqiptarët, duke vlerësuar se roli i kësaj partie në Qeveri do të ishte “të zbusë përçarjen në BDI”. Alternativa beson se është logjike që ai që është në hall të heqë dorë nga një pjesë e dikastereve qeveritare që drejton, duke drejtuar gishtin tek BDI.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje ka mbajtur darkë pune me liderët e partnerëve të koalicionit në Klubin e deputetëve. Pas takimit nuk ka pasur deklarata, por kryeministri Kovaçevski ka njoftuar në Facebook se në darkën e punës janë diskutuar për aktivitetet që do të ndërmerren këtë vit.
“Në një atmosferë të këndshme, diskutuam për aktivitetet në vitin e ardhshëm 2023, masat dhe politikat e Qeverisë për përballjen me krizën globale energjetike, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin energjetik, zbatimin e programit të qeverisë, reformat për BE-në, rrugën dhe hapat për të siguruar të ardhmen evropiane të vendit”, ka shkruar Kovaçevski në Facebook.(INA)