Dy skuadrat shqiptare, Partizani i Tiranës dhe Struga, janë larg vetëm 90 minuta nga kualifikimi në fazën e plejofit të Ligës së Konferencës. Të dyja ekipet i kanë fituar ndeshjet e para të rundit të tretë kualifikues të kësaj gare dhe të enjten i zhvillojnë ato të kthimit. Partizani, i cili javën e shkuar triumfoi 2:1 në Letoni, e pret në stadiumin “Elbasan Arena” skuadrën e Valmieras. Ndërkohë, Struga luan në udhëtim te Swift Hesperange i Luksemburgut, ekip që në duelin e parë të zhvilluar në Maqedoninë e Veriut e mposhti me shifrat 3:1. Si Partizani ashtu edhe Struga ndeshjet e kthimit i luajnë prej orës 20:00. Te kampioni i Shqipërisë, Partizani insistojnë se do të dalin në fushë për ta fituar edhe ndeshjen e kthimit, me gjithë mungesat e shumta. Ekipi nga Tirana do të jetë pa pesë titullarë të duelit të parë në Letoni, shkaku i lëndimeve dhe suspendimeve. Në mesin e të lënduarve është edhe sulmuesi Christian Mba. Megjithatë, trajneri Zoran Zekiq, ka besim në të përzgjedhurit e tij për duelin e kthimit. Zekiq ka vlerësuar ekipin nga Letonia, por pret që lojtarët e Partizanit të zbatojnë detyrat.
“Valmiera është një skuadër shumë e mirë, por u kam kërkuar lojtarëve që të besojnë shumë në vlerat e tyre dhe tek ajo që kanë arritur në ndeshjen e parë. E kemi një rezultat pozitiv, por nuk duhet të bazohemi shumë në të, por të tregohemi të zgjuar dhe të bëjmë një tjetër paraqitje të mirë. Shpresoj që lojtarët të zbatojnë detyrat për këtë ndeshje të rëndësishme”, është shprehur Zekiqi në konferencën për shtyp të mërkurën. “Pres të japim më të mirën nga vetja dhe natyrisht rezultat pozitiv, pasi synimi ynë është të avancojmë në fazën e plejofit. Me gjithë mungesat, sidomos atë të sulmuesit Mba, ne duhet të paraqitemi si një skuadër kompakte dhe të marrim rezultatin që duam”.
Edhe kampionia e Maqedonisë së Veriut, Struga, do të ketë mungesa për ndeshjen e kthimit në Luksemburg. Nigeriani Hogan Ukpa nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Shpëtim Duro. Ukpa nuk ka udhëtuar fare me ekipin për shkak se nuk është pajisur me vizë, ka njoftuar skuadra e Strugës. Në rast se Partizani avancon nga raundi i tretë, atëherë në plejofin e Ligës së Konferencës do të përballet me humbësin e duelit mes Astanas së Kazakistanit dhe Ludogoretsit të Bullgarisë. Këto dy skuadra përballen në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, ndërsa ndeshjen e parë e ka fituar Astana me rezultatin e ngushtë 2:1. Dueli i kthimit mes këtyre dy ekipeve do të zhvillohet të enjten mbrëma në Bullgari. Ndërkohë Struga në plejof do të luajë kundër humbësit të duelit tjetër të raundit të tretë të Ligës së Evropës, Bredablikut të Islandës dhe Zrinjski Mostarit të Bosnjë-Hercegovinës. Zrinjski duelin e parë në shtëpi e fitoi 6:2 dhe ndeshjen e kthimit e zhvillon të enjten në Islandë. Partizani dhe Struga rrugëtimin evropian këtë edicion e nisën në Ligën e Kampionëve, por u eliminuan në rundin e parë kualifikues të kësaj gare. Pas eliminimit në Champions, aventurën e vazhduan në Ligën e Konferencës që është niveli i tretë i garave të UEFA-s. Partizani në rundin e dytë eliminoi Atletic d’Escaldesin e Andorrës, ndërsa Struga ishte më e mirë se Buduqnosti i Malit të Zi.