Pas hyrjes së papritur të Atilla Kardesh në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova, kanë reaguar avokatët e tij me një sqarim publik përmes rrjeteve sociale.
Deklarata e tyre vjen si përgjigje ndaj spekulimeve që kanë qarkulluar në mediat shqiptare për raportin e tij me ish-bashkëshorten Drenusha Latifi dhe çështjet e diskutueshme që kanë pasuar ndarjen e tyre.
Në deklaratën e përbashkët të avokatëve Taulant Ferizi dhe Arlind Fetahu, theksohet se Atilla Kardesh dhe Drenusha Latifi janë të përfshirë në disa çështje gjyqësore, duke qenë herë paditës dhe herë të paditur. Megjithatë, këto çështje janë të mbyllura për publikun për shkak të natyrës së tyre të ndjeshme, dhe për këtë arsye avokatët e Kardesh nuk mund të japin detaje për respektimin e obligimeve ligjore dhe etike.
Lidhur me pretendimet e ngritura në media për dhunë fizike ndaj Drenushës, avokatët mohojnë kategorikisht ekzistencën e ndonjë procesi gjyqësor për këtë çështje. Ata sqarojnë se ky pretendim është i lidhur me një ngjarje të së kaluarës dhe nuk është trajtuar ligjërisht, as në Kosovë dhe as jashtë saj.