Pas refuzimit të Borisovit dhe Zaharievës për takim, Ivanov përgjigjet

0

Është vendim i tij dhe përgjegjësi e tij. Kështu e ka komentuar presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, vendimin e kryeministrit të Bullgarisë, Bojko Borisov për mos ta takuar atë.

“Borisov nuk është vetëm kryeministër i Bullgarisë, por edhe i vendit që kryeson me BE-në. Bashkimi Evropian ndokund promovon dialog, konstruktivitet dhe bashkëpunim, kështu që me gjestin e tij, ai po merr anë dhe nuk e realizon atë që është edhe qëllim i anëtarësimit dhe kryesimit me BE-në”, ka thënë Ivanov.

Takimet e kryeministrit bullgar, Bojko Borisov dhe ministres bullgare të Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva me presidentin e vendit Gjorge Ivanov, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Sofje, janë anuluar, njoftoi shërbimi qeveritar për median i qeverisë bullgare.

“Nuk duam të përzihemi në punët e brendshme të fqinjit tonë. Qëndrimi ynë është parimor dhe i qartë si dhe i gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Qeveria bullgare nuk sheh arsye të shfrytëzohet për debate të brendshme politike në Shkup. Thelbësore, për zhvillimin e ardhshëm të shtetit tonë fqinj është integrimi në BE dhe NATO dhe kjo të mos vihet në pikëpyetje”, theksohet në kumtesën nga qeveria e Bullgarisë.

Presidenti Ivanov prej sot gjendet për vizitë zyrtare në Bullgari. Sipas paralajmërimeve nga kabineti i tij, përveç se me homologun e tij bullgar, Rumen Radev, në Sofje duhej të takohej edhe me Borisovin dhe Zaharievën.

Komentet

komentet