Pas Tiranës pritet që edhe në Shkup të hapet ekspozita unikale e koleksionit të jashtëzakonshëm të Paolo Rossit, “djalit të artë” të futbollit italian.
Kjo u diskutua sot në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM) në një takim të realizuar mes kryetarit të FFM-së, Muhamet Sejdini dhe organizatorëve të ekspozitës, Marco Schembri dhe Muharrem Salihu.
Në këtë ekspozitë që do të ketë karakter rajonal, pasi pritet të udhëtoj edhe në Prishtinë dhe kryeqendrat tjera rajonale, pritet të marrin pjesë personalitete të njohura të futbollit italian dhe evropian.
Në çeljen e ekspozitës në Tiranë që do të vijoj deri më 24 shkurt ishin të pranishëm presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, si dhe ish-futbollistët e famshëm Antonio Cabrini dhe Marco Tardelli, arbitri izraelit i gjysmëfinales së Botërorit 1982, Itali–Brazil, Abraham Klein, si edhe personalitete të futbollit shqiptar si edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Ekspozita tregon jetën e Paolo Rossit dhe legjendave të futbollit ndërkombëtar. Midis sendeve personale, realitetit virtual, bluzave origjinale, intervistave, “Topit të Artë” dhe “Këpucës së Artë” 82, vizitori i ekspozitës do të mundë të hyjë në kontakt me një prej atletëve më të vlerësuar në historinë e futbollit kombëtar e atij ndërkombëtar. (INA)