PASHTERKËKUQJA

0

NGA KALOSH ÇELIKU

Natë. Matanë mureve më thërret Nusja me pashterkë të kuqe. E hap dritaren: Errësirë. Nën hijen e ftonit me Hënën mbi mal, e pash duke i rënë dajres me të dyja duart. Edhe, hidhte valle. Ebu Xha Ferri e hiqte vallen me shami. E valonte shaminë e kuqe e i përdridhte bythët. Belin. Posa më pa mua në dritare, e ndali vallen:
– Ec, zbrit poshtë! Çka më shikon si mëzat i tredhur? Ec, edhe ti hyn në valle! Nuk ke frikë se, po të hipa lartë në verandë do të të shkepi çotek deri në mëngjes. Vërtetë, kësaj radhe shpëtove nga “armiku i padukshëm” Koronavirusi, por jo edhe nga Pashterkëkuqja.
– Oh, jo. Jo, mezi iu përgjigja nga dritarja, mes hekurave në karantinë. Porositë e Qeverisë: Laj duart me sapun! Dy metra larg distancë, edhe me Gruan besnike. Miken. Mos dil në rruga pa maskë! Dil në verandë, dhe këndo si Arusha me dajre!
E kam frikë Pashterkën tënde të kuqe me pala. Pasmesnate, dorë më dorë më hudhin xhindet mbi çati, majë lisave. Pak, para agimit më kthejnë në shtrat, mes Nanës dhe Babait. Shpeshëherë, e shoh edhe në ëndërr, pasmesnate. Ja, zbrita menjëherë poshtë në Lëmë. Aman, vetëm mos më rrah deri në mëngjes, ende pa dalë Drita!… Dielli…
E hoqa shulin e Derës Madhe dhe e hapa krahë më krahë. Nusja me pashterkë të kuqe, pas dere më rrëmbeu plot inatë me të dyja duart për fyti.
– Ja, i tha Ebu Xha Ferrit. E kapa. Është shkrimtar, merre dhe mos e lësho deri në mëngjes pa ia dhanë mirë hakun në Shtëpinë publike. Ki, kujdes se, është i rrezikshëm, ndodh të të ikë nga dritarja, marrë malet. Ose, për oxhaku fluturojë në Qiell.
O Imzot, thash në vete. U mplaka e nuk më kishte zënë syri deri më sot kësi rrospie. Bythët na, palare. Fytyrën rrumbullake. Faqekuqe si mështjerrë katundi, siç din Zoti më t`i krijojë rrospitë meshkuj me pashterka të kuqe…
– Ec pas meje, më tha Ebu Xha Ferri. Më rroku për dore dhe më tërhoqi zvarrë.
Nusja me pashterkë të kuqe i ra dajres:

Ding – ding – diiing -ka
Rranka -ka -ka-kaaa…

Ebu Xha Ferri duke kënduar e hequr vallen:

Do të mi japёsh shtëllungat e leshit?
Do të t`i jap moj Nuse si s`ti jape – jooo…

Dera u hap dhe Unë ende pa e marrë Veten, kur u ndezën dritat, mu këputën këmbët. Plot pas një ore e gjeta Veten para Shtëpisë Publike. E ngrita kokën. E pash Ebu Xha Ferrin sesi ma bënte me gisht: Eja, këtu!. E tërhoqa Veten zvarrë dhe e pështyva në fytyrë. Ti nuk di t`i biesh dajres. Ti nuk di ta heqish vallen. Ti nuk di këngë dasme…
Qeshi. Vallen e heq Nusja me pashterkë të kuqe – Xhadia. Ajo i bie edhe dajres në Lëmë, përpara Shtëpisë. Edhe këndon këngë dasme…
– E si e pate emrin, zonjë?
– Unë jam Ebu Xha Ferri…
E mora janxhëkun me eshtra në krah dhe ika si pa kokë nga sytë – këmbët. Nëntë orë kisha ikur nëpër një pyll të dendur me lisa. Matanë përronit, nën një dardhë gorrice e pash F. B. me “Filxhanin e dashurisë”. E kishte hapur në mes Librin dhe lexonte një poezi për Zehranë… Nusen e Shkupit pa duvak e koçi, e cila iku në Gjermani…
– Hë, më bërtiti me sa zë që kishte. Kush të turret pas shpine?
– Rrospitë Meshkuj! Mezi arrita t`i përgjigjem duke u mbushur frymë.
– E kam ditur se, vështirë e ke t`u shpëtosh nga duart… Grushtat… Aq më shumë, Pashterkuqes – Xhadisë. E kanë në dorë gjithë Shtëpinë Publike. Cilit t`ia vënë mëndjen e shtinë në dorë. E blejnë për pak para. Ose, e shesin në Qeveri: Ministri… Redaksi… Kabinet… Kujdes duhet patur, që mos të të takojnë natën në rrugë. Vaj halli nëse të zunë pas mesnate, prite nesër veten kryeministër mbi gomar, ministër, drejtor shkolle ose redaktor në ndonjë redaksi. Janë Rrospitë më të rrezikshme deri më sot që kanë lindur në Shtëpinë Publike. E heqin veten patriotë në gjirin e Njerkës me “Shpëtimtarin” e shqiptarëve. Mendojnë se edhe me poste politike, në Shtëpinë Publike i dalin zot Atdheut.
Pashterkëkuqja me gomar merr nuse në Shkup…