PD dhe UDSH, pas disa vite ndarjeje bashkohen në koalicion parazgjedhor

0

Partia Demokratike e udhëhequr nga Fatmir Gjeka dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve nga Mehmed Zenka do të konkurojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mal të Zi që do të mbahen më 30 gusht 2020.

Siç mësohet bartës i listës së këtij koalicioni do të jetë kryetari i Partisë Demokratike, z.Fatmir Gjeka.

Ky koalicion përfshin ndarjen e pushtetit midis anëtarëve në mënyrë të barabartë.

Kështu nëse ky koalicion do të marrë vetëm një deputet, ai do të ndahet sipas parimit Partia Demokratike dy vjetet e para, Unioni Demokratik i Shqiptarëve gjysmën tjetër. Ndërkaq nëse subjekti i fundit do të ketë edhe në mandatin e ardhshëm postin e ministrit të pakicave, atëherë deputeti i Partisë Demokratike do të shfrytëzojë kohën e plotë të mandatit. Për gjysmë, do të ndahen edhe mjetet financiare të deputetit nga të dy partitë.

Koalicioni i sapoformalizuar pret që të fitojë një deputet, ndërsa bën thirrje që t’i bashkohen edhe subjektet e tjera, kurse pritet që së shpejti të shpalosë programin zgjedhor.