PD nis të enjten mosbindjen civile, pritet bllokimi i disa rrugëve

Partia Demokratike do të nisë të enjten mosbindjen civile. Burime për Ora News thonë se protesta do të shtrihet në të gjithë vendin, ndërsa pritet edhe bllokimi i disa akseve rrugore.

PD do të bllokojë disa nga akset kryesore nacionale në Tiranë, Vorë, Lushnje, Elbasan, Korçë, Lezhë.

Gazetari i Ora News Everest Dedaj tha se parashikohet që bllokimi i rrugëve të ndodhe për rreth një orë nga ora 11 deri në 12.

Një nga rrugët është kryqëzimi i Fushë-Milotit që lidh rrugën e Kombit me Tiranë, por edhe me zona të tjera.

Burime për Ora News bëjnë të ditur se kjo formë proteste do të jetë e ngjashme me atë të 2017, duke paralaizuar qarkullimin.

Një aks tjetër që do të bllokohet është në Lushnje tek rreth rrotullimi i Plugut. Edhe kryqëzimi i Bradasheshit që lidh juglindjen e vendit është parashikuar të bllokohet.

Mësohet se në selinë blu po zhvillohet organizimi për përcaktimin e nyjeve që do të bllokohen.

Basha pasditen e sotme pati takime të ndara me krerët e degëve, kryetarët demokratë të bashkive si dhe me deputetë të PD-së për të koordinuar aksionin opozitar kundër qeverisë. Kërkesa për mosbindje civile erdhi pas protestës së qytetarëve në “Rrugën e Kombit” që kundërshtonin tarifën e vendosur nga koncesionari.

Vendimi për mosbindje civile u mor gjithashtu ditën e djeshme nga opozita e bashkuar në mbledhjen e përbashkët të grupeve parlamentare PD dhe LSI.