Partia Demokratike Evropiane (PDE) mbajti sot Kuvendin themelues.
Drejtuesi i kësaj partie, Arjanit Hoxha shpalosi prioritetet e subjektit të ri politik.
“Ne sot po hapim një kapitull të ri, një hap të rëndësishëm që jam i bindur se historia do ta vlerësojë si hapin e duhur në momentin e duhur. Dalja jonë në skenë pavarësisht polemikave të krijuara do paraqesë një model të partive politike që marrin dhe bartin përgjegjësi mbi vete. Edhe pse në perspektivën e tanishme kohore mund të duket shumë absurde kjo që e themi sot, por në një të ardhme shumë të afërt do vërtetohet se jemi në rrugën e drejtë, rrugë kjo që do jetë plotësisht në shërbim të qytetarëve të vendit”, theksoi Hoxha.
Sipas tij, angazhimi i tyre politik dhe ndërtimi i politikës partiake nuk do të bazohet në urrejtje dhe mllef, por do të bazohet në koncept dhe ide, në kreativitet dhe ofertë politike që do jetë në shërbim dhe të mirë të qytetarëve të vendit.
“Do punojmë që Maqedoninë e Veriut ta shndërrojmë në një cak investiv, ku diasporës sonë do t’i jepet qasje e privilegjuar për të investuar në vendlindje dhe me kthimin e kapitalit financiar aty të tentojmë edhe kthimin e kapitalit njerëzor ose në variantin më të keq të parandalojmë ikjen e të rinjve nga vendlinja.
Do jemi të zëshëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, deri në imponimin e reformave në sistemin gjyqësor përmes një vettingu me mbikqyrje ndërkombëtare për të reformuar hallkën e fundit të trashëgimisë jugosllave, pra sistemin gjyqësor.
Ndjekja e trendeve bashkëkohore në të gjitha sferat duke i dhënë prioritet digjitalizimit dhe shërbimeve online përmes të cilave do evitohen mundësitë e korrupsionit administrativ që ngulfat funksionimin profesional të administratës publike”, theksoi Arjanit Hoxha.(INA)