Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë i ka kërkuar Qeverisë që t’ia ndalojë hyrjen në vend një deputeti bullgar dhe disa personave të tjerë shtetas të Bullgarisë.
Kjo kërkesë vjen pas tensioneve të krijuara mes dy vendeve, me rrahjen e një sekretari të klubit bullgar në Ohër. Pendarovski ka shfaqur dyshime se incidentet si ai në Ohër janë duke u organizuar nga struktura bullgare.
Sipas presidentit Pendarovski, ka dyshime se disa nga këta persona janë të lidhur me shërbimin inteligjent rus.
“Fushatave të këtilla që i zbatojnë parti politike dhe individë mund t’u përgjigjemi në dy mënyra: me retorikë të kulturuar diplomatike ashtu si deri më tash dhe me deklarata provokuese që shpesh herë nuk mbeten vetëm fjalë, por nxit edhe dhunë – me siguri se nuk do të ndalojë. Por, këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tej. Dhe, e dyta me masa që i ndërmerr çdo shtet serioz. Propozimi im që shkon deri te Qeveria dhe të cilin e shpreha edhe në mbledhjen e KS-së është – në përputhje me dispozitat e ligjit për të huaj – t’i ndalohet hyrja në vendin tonë një deputeti në Kuvendin e Bullgarisë dhe disa individëve, shtetas të Bullgarisë për shkak të aktiviteteve që i kanë ndërmarrë më parë dhe i ndërmarrin edhe më tej në shtetin tonë”, deklaroi presidenti i vendit.
Ai shtoi se aktivitetet e tilla synojnë cënimin e sigurisë në vend, sidomos edhe me rastin e 4 shkurtit, kur do të shënohet ditëlindja e Goce Dellçevit.(INA)