Pendarovski: “Mini-Shengeni” duhet të përfshijë edhe Kosovën

0

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski beson se nisma e njohur si “Mini-Shengeni Ballkanik” duhet të përfshijë edhe shtetet e tjera nga Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën. Ai kështu deklaroi dje në një konferencë për media pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Kur u pyet se nëse e sheh Kosovën pjesë të “Shengenit të vogël”, Pendarovski u përgjigj se kjo nismë aktualisht ka një strukturë të dobët. “Ai nuk përfshin të gjashtë shtetet dhe duke thënë ‘shtete’ nuk dua të ndërhyj në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, por mendoj se duhet të gjendet një zgjidhje që Bosnja dhe Hercegovina dhe të tjerët të bashkohen me iniciativën gjithashtu. Kjo është mënyra e vetme që do të kemi përfitime, pa paragjykuar çështjen e statusit të Kosovës. Ajo që do të vendosin Beogradi dhe Prishtina varet prej tyre”, tha ai duke shtuar se iniciativa nuk është zëvendësuese për anëtarësimin në BE. Ai tha se ai dhe Vuçiq kishin rënë dakord që marrëdhëniet bilaterale midis vendeve të tyre ishin të shkëlqyera dhe pa polemika. Ndërkaq, presidenti serb tha se kush nuk e kupton “Mini-Shengenin” nuk e kupton politikën. “Kushdo që nuk e kupton iniciativën ekonomike për të formuar një “Mini-Shengen” jo vetëm që nuk e kupton politikën, por nuk e kupton edhe se si duhet të duket e ardhmja e fëmijëve të tyre”.