Pendarovski uron vllehët për Ditën Kombëtare

Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e 23 majit, Ditës Kombëtare të Vllehëve, ka uruar të gjithë pjesëtarët e këtij komuniteti në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’ju uroj 23 majin, Ditën Kombëtare të Vllehëve dhe t’ju uroj sinqerisht që festën ta kaloni me shëndet dhe humor të këndshëm, duke ndarë gëzime dhe mendime të mira me të dashurit tuaj”, theksoi Pendarovski.

117 vjet më parë më 23 maj, me një dekret të Sulltan Abdul Hamidit, vllehëve i’u njohën të drejtat kombëtare brenda Perandorisë Osmane. Kjo hapi mundësinë e arsimimit në gjuhën amtare, e cila është një nga shtyllat e identitetit kombëtar dhe kulturor të çdo kombi.

“Jemi të lumtur që në atdheun tonë të përbashkët pjesëtarët e komunitetit vlleh, si dhe të bashkësive të tjera etnike, i kanë të gjitha mundësitë për të ruajtur dhe forcuar identitetin e tyre gjuhësor dhe kulturor. Vllehët me traditat, kulturën dhe folklorin e tyre e pasurojnë në mënyrë thelbësore shoqërinë tonë multikulturore dhe multietnike”, ka shkruar Pendarovski.(INA)