Avancimi në parlamentin italian i marrëveshjes së pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë ka bërë që në Zyrën e UIM Albania në Tiranë të rritet numri i personave të interesuar që paraqiten për të kërkuar informacion.
“Paketa e maleve”, Musabelliu: Përjashtim nga katër taksa për 500 agroturizme dhe ferma malore
Anila Cili, operatore e Zyrës, shpjegon se me fillimin e vitit të ri, shumë qytetarë po paraqiten për të mësuar më shumë rreth përfitimeve nga kjo marrëveshje, e cila do t’u japë mundësi mbi 500 mijë shqiptarëve në të dyja brigjet e Adriatikut t’u njihen kontributet për sigurime shoqërore në Itali dhe Shqipëri. Marrëveshja synohet të miratohet në dhomën e senatit të Parlamentit të Italisë dhe të hyjë në fuqi brenda pranverës.
“Me të mësuar lajmin se marrëveshja e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë po avancon në parlamentin italian, shumë emigrantë shqiptarë kanë përfituar nga kthimi në vendlindje për festat e fundvitit për të kuptuar më shumë se në çfarë faze ndodhet procesi. Pyetjet më të shpeshta lidhen me momentin kur mendohet që kjo marrëveshje të miratohet dhe të hyjë plotësisht në fuqi. Në këtë kuptim, u kemi shpjeguar procedurat që ndjek parlamenti italian, i ndarë mes Dhomës së Deputetëve dhe Senatit, si dhe kohën e nevojshme, që mendohet të zgjasë disa muaj”, shpjegon Cili për ATSH.
“Nëse gjërat ecin me ritmin e duhur, mendohet që procedurat parlamentare në Romë të përfundojnë rreth pranverës. Më pas mbeten afatet për publikimin në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë, në Shqipëri, parlamenti ynë e ka kryer ratifikimin,” tha Cili.