Gjatë vitit të pandemisë shqiptarët çuan nga buxheti i tyre mujor për shëndetësinë më shumë se evropianët.Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020 gati 5.4 për qind e shpenzimeve mujore të shqiptarëve shkuan për shëndetin, ndërsa sipas të dhënave të Eurostat, familjet evropiane çuan vetëm 4.6 për qind të buxhetit.
Në Shqipëri shpenzimet e shëndetit në vitin 2020 u rriten me 28 për qind ne krahasim me 2019, ndërsa në BE shpenzimet për shëndetin ranë me 5 për qind në raport më vitin 2019.Në vitin 2020, shpenzimet e konsumit të familjeve në BE u ulën me një 8 për qind të paprecedentë në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, ndërsa në Shqipëri u rritën me 1.6 për qind.
Ne BE kjo është ulja më e madhe vjetore e regjistruar që kur është matur ky tregues dhe ulja erdhi për shkak të efekteve të pandemisë. Ne BE rënia më e madhe ndodhi në për kategoritë “Restorante dhe hotele” apo 38 për qind krahasuar me 2019, “Veshje dhe këpucë, “Transport” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 17 për qind dhe shëndet. Nga ana tjetër, rritjet më të mëdha janë shënuar për kategoritë “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3 për qind dhe “Komunikime” me 2 për qind.
Ndërsa në Shqipëri ulja më e madhe e shpenzimeve mesatare për konsum mujor, në vitin 2020, e ka shënuar grupi “Argëtim dhe kulturë” me 26.4 për qind, krahasuar me vitin 2019, ndërsa rritja më e madhe është shënuar në grupin “Shëndet” me 28 për qind.
INSTAT thotë se gati 42 për qind e shpenzimeve mujore të shqiptarëve shkuan për ushqime, ndërsa sipas të dhënave të Eurostat në BE, familjet çuan për ushqime vetëm 13 për qind të buxhetit mujor. Përqendrimi i shpenzimeve tek ushqimet në vendin tonë vjen si rrjedhojë e nivelit të ulët të pagave dhe nivelit të lartë të varfërisë relative.Në BE shpenzimet mujore të familjeve janë të përqendruara të qiratë dhe faturat e shtëpisë dhe shpenzimet për transport.
Gjatë vitit të kaluar 23.5 për qind e buxhetit të familjeve evropiane shkoi për qira, drita dhe ujë, ndërkohë që në Shqipëri faturat dhe qiraja zënë 10 për qind të shpenzimeve mujore. Ky zë peshon më pak në familjet shqiptare për shkak të varësisë së ulët nga qiraja, pasi shumica e familjeve kanë investuar në pronësinë e shtëpisë.Në BE zëri i dytë më i madh në shpenzimet mujore të familjeve janë shpenzimet e transportit që zënë 13.1 për qind të buxhetit mujor. Në Shqipëri ky zuri 5.6 për qind të shpenzimeve mujore më 2020. Siç shihet evropianët kanë më shumë për udhëtime dhe argëtim.Siç shihet nga grafiku bashkëngjitur familjet në Shqipëri dhe ato në BE kanë të njëjtat përqindje të shpenzimeve mujore për veshje, pasi çojnë 4.6 për qind të fondit mujor për rroba dhe këpucë, ndërsa evropianët shpenzuan më shumë nga buxheti i tyre për pije alkoolike dhe duhan se shqiptarët./Monitor.al