Për herë të parë nënshkruhen Marrëveshjet kolektive për punëtorët në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave

Sot, për herë të parë janë nënshkruar Marrëveshjet Kolektive që rregullojnë statusin, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e punëtorëve që janë të punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Kjo u bë e ditur nga ministri i këtij dikasteri, Arjanit Hoxha.

Ai theksoi se këto marrëveshje kolektive janë nënshkruar së bashku me kryetarin e Sindikatës së Punonjësve të Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Peco Grujovski, kryetarin e Sindikatës në MBPEU, Aleksandar Dilje dhe kryetarin e Sindikatës së Pavarur, Nikola Gagovski.

“Kjo marrëveshje rregullon në mënyrë sistematike të drejtat dhe detyrimet për të ardhurat personale të zyrtarëve të autorizuar në Policinë Pyjore. Poashtu, për herë të parë, do të rregullohet edhe e drejta për të marrë shtesë në vlerë prej 30% për komponentë, nivel ky për nëpunësit e autorizuar për shkak të llojit, natyrës dhe kompleksitetit të punës së kryer, si dhe peshës dhe kushteve të veçanta nën të cilat kryhen ato.”, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltaris dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha. (INA)