Për një muaj në Kosovë thuajse janë trefishuar rastet me COVID-19

0

1083 raste me COVID-19. 30 të vdekur e “vetëm” 210 raste aktive me koronavirus. Kjo ishte gjendja që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës e kishte raportuar më 31 maj.

Një muaj më vonë, më 30 qershor, shifrat janë të frikshme, nëse krahasohen me ditën e fundit të majit.

IKSHPK-ja të martën mbrëma ka njoftuar se numri i rasteve me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 2878. Pra tani ka raste gati trefish më shumë se një muaj më parë. Rastet e para me koronavirus në vend janë paraqitur më 13 mars. Por në qershor shifrat janë rritur me të madhe.

Rritja është edhe më e theksuar sa i takon rasteve aktive. Nga 210 raste aktive sa ishin në ditën e fundit të majit, shifra në ditën e fundit të qershorit ka arritur në 1250. Pra numri i rasteve aktive për një muaj është gjashtëfishuar.

Në fund të majit ishin 30 të vdekur nga pasojat e koronavirusit, që kanë pasur edhe sëmundje shoqëruese. Në fund të qershorit janë 51 të vdekur, me sëmundje shoqëruese, njofton IKSHPK.

Shifra më e lartë e të infektuarve brenda 24 orëve është arritur më 16 qershor. Plot 141 të infektuar ishin atë ditë. Në të vërtetë shifra prej 100 rasteve është kaluar disa herë gjatë muajit të fundit./Koha.net