Për siguri më të madhe të gazetarëve paralajmërohen ndryshime ligjore

0
Foto: Ilustrim

Është mbajtur uebinar më 24 nëntor me temë: “Ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal: Zgjidhje për përforcimin e sigurisë së gazetarëve”, që e organizoi Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Aksioni i përbashkët i BE-së dhe Këshillit të Evropës “Liria e shprehjes dhe liria e mediave në Maqedoninë e Veriut (JUFREX)”.

Përfundimi kryesor i ngjarjes ishte se vetëm përmes ndryshimeve konkrete në Kodin Penal, duke i dhënë Prokurorisë autorizimin për të vepruar sipas detyrës zyrtare dhe duke rritur dënimet për sulmuesit, do të përmirësohen sistematikisht siguria dhe politika e mosndëshkimit për gazetarët dhe punonjësit mediatik. Derisa zhvillohej ngjarja, Ministria e Drejtësisë u prononcua në mediat sociale, duke treguar që Kodi Penal, së bashku me SHGM-në dhe Sindikatën e Gazetarëve, së shpejti do të rishikohen, me qëllim që të rritet siguria e gazetarëve. Në njoftim, Ministria, gjithashtu, vuri në dukje se ligjet e reja nuk janë aq të nevojshme sa nevoja për veprim më efikas nga institucionet kompetente për hetimin dhe sanksionimin e sulmeve ndaj gazetarëve.

Siç informojnë nga SHGM- ja në këtë uebinar morën pjesë tridhjetë pjesëmarrës, përfshirë një grup gazetarësh, përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Evropës, Prokurorisë Themelore Publike dhe avokatë që përfaqësojnë gazetarët para gjykatave. Në këtë uebinar video paraqitje kishte Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, kurse në pjesën hyrëse të kësaj ngjarjeje fjalim kishte Patrik Peninks, shef i Sektorit të Shoqërisë Informatike pranë Këshillit të Evropës. Po ashtu, në uebinar mori pjesë edhe Sasho Rajçev, shef i Prokurorisë Themelore Publike në Shkup me gazetarë që mbulojnë çështje të sigurisë, si dhe një ekspert i huaj në fushën e të drejtës së mediave,

Një nga qëllimet e kësaj ngjarje ishte të diskutohen mënyrat për të gjetur zgjidhje për mbrojtjen institucionale të gazetarëve dhe punonjësve të mediatik dhe kështu të kontribuohet në procesin e konsultimeve të udhëhequra nga Ministria e Drejtësisë për të ndryshuar Kodin Penal.