Për tekstet fyese mësimore në Maqedoninë e Veriut, fajet janë tonat

Fatmir Sulejmani

Javëve të fundit është aktualizuar me të drejtë dhe kush e di për të satën herë problemi i teksteve mësimore me përmbajtje fyese për shqiptarët. Poshtërimet janë shtrirë në të gjitha librat shkollorë, veçmas në tekstet mësimore të lëndëve me aromë etnie si: Historia, Gjeografia, Arsimi Muzikor…, që përgatiten nga autorët joshqiptarë.

Dhe, gjersa ne jemi perqëndruar në tekstet e Historisë e Gjeografisë, nga i cili nxënësit shqiptarë mësojnë se janë pasardhës romësh e çerkezësh që e paskan kolonizuar tokën e shenjtë të maqedonasve të sotëm, kemi lënë pas dore tekstet e lëndëve të tjera, si ato të Arsimit muzikor, që janë ndoshta më fyeset dhe më skandalozet e mundshme, duke qenë se nuk kanë asnjë lidhje me muzikën dhe kulturën shqiptare. Madje janë shkruar gati tërësisht në dy gjuhë, kuptohet: para maqedonisht pastaj në shqip.

Tekstet e lëndës në fjalë, që nga klasa e IV gjer në klasën e IX (ndoshta dhe më herët, sepse nuk arrita të siguroj gjithë tekstet…) kanë të bëjnë kryekëput me folklorin maqedonas, me muzikën maqedonase, me tekstet e këngëve maqedonase (të përkthyera më pas nga maqëdonishtja në shqip), me instrumentistët, me solistët, me kompozitorët, me dirigjentët me këngëtarët dhe me gjithçka maqedonase dhe vetëm maqedonase.

Këto janë arsyet përse i quajta tekste fyese dhe skandaloze (këtë e kanë bërë dhe disa të tjerë para meje), sepse qëllimi i tyre nuk është arsimimi muzikor i nxënësve shqiptarë, po asimilimi shpirtëror i tyre, i toleruar pabëzajtur me dekada nga klasa politike dhe intelektuale shqiptare, tamam sikur të ishte fjala për fëmijë çerkezësh të largët.

Nga e sipërthana vetëkuptohet se këto tekste kanë vetëm titullin shqip, pra vetëm fasadën, që mjafton për t’na vënë në gjumë dhe për ta bërë të padukshëm anën përmbajtjesore, me të cilën bëhet injektimi i viruseve në damarët e ardhmërisë sonë, që dalëngadalë tjetërsojnë, sfilitin e shpëlajnë shpirtin e fëmijëve tanë nga tiparet identitare.

Po sjell në vijim vetëm disa tituj këngësh me të cilët e nxënë artin e magjishëm fëmijët tanë, vetëm disa vargje të teksteve të këngëve në fjalë, disa emra njerëzish që përmenden në tekste këngësh, disa kompozitorë, dirigjentë, solistë, këngëtarë, instrumentistë…

Të shkojmë me radhë:

Tituj këngësh: “Крај Вардара седеше, калино моме”, “Насред село тапан чука”, “Денес е Божик, пресветол ден”, “Под дрво седи млад јунак”, “Мајка на Маринка думаше, земи го ќерко Ѓорѓија”, “Куќа имам в Пелистер”, “Ој, Лијарче бога моли”…

Tekste këngësh (të përkthyera në shqip): Миле има коцка мала, тој ми вели не е шала./ Волшебна е душа има, чудно нам ни дава сила. – Mile ka kub magjik, ai më thotë nuk është shaka. Shpirti i tij është magjik,/ për çudi na jep fuqi; Ој, Лијарче бога моли,/ Ојлие, ој лије – Moj Lijarkë, lutju zotit, ej lije, ej lije…; Ване, Мирјана, сите дечиња./ Скок, скок, скокаме, игра играме… – Vane, Mirjana, të gjithë fëmijët./ Kërcim, kërcim, kërcejmë, lojë luajmë…

Emra që përmenden në tekste këngësh: Stanko, Dime, Mile, Pallavko, Millka, Jana, Tanja, Martin, Rada, Vane, Mirjana…

Kompozitorë: Kiril Makedonski, Trajko Prokopiev, Risto Avramovski, Toma Preshev, Dimitrije Buzharovski, Aleksandër Xhambazov, Todor Skallovski, Goce Kollarovski…