Për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut kanë reaguar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet Ambasadës në Prishtinë.
Sipas një komunikate për media, thuhet se SHB vë në pah se më 23 prill 2023, në komunat e Kosovës në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet komunale për kryetar komune të katër komunave dhe për dy kuvende komunale, të cilat ishin në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.
SHBA thotë se e përkrah një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse dhe shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë.
Është për të ardhur keq, sipas Ambasadës së SHBA-së, që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme.
“Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatës që iu shërbejnë. Votimi është një liri e rëndësishme e shoqërive demokratike. Ne i pranojmë përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë në dispozicion qendrat e votimit për qytetarët që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke ulur pikat e mundshme të tensionit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it për të ofruar një mjedis të sigurt për zgjedhje”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.
Kjo e fundit thotë se do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm.
“Ne gjithashtu ri-theksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.rtk