Gjithsej janë zhvilluar 257 ndeshje mes Realit të Madridit dhe Barcelonës, 188 prej tyre në La Liga. Bilanci i deritanishëm është 105 fitore për Realin, 100 fitore të Barçës dhe 52 barazime.
Nëse Reali nuk humbet ndaj Barcelonës, “Los Blancos” do të barazojnë rekordin më të mirë historik të ndeshjeve pa humbje në Ligë me 43 të tilla. Një shifër që mbahet nga Barcelona mes viteve 2017 dhe 2018.
Pesë trajnerët e fundit të Barçës kanë humbur Klasiken e tyre të parë kundër Madridit. I fundit që debutoi me fitore ishte Tata Martino në vitin 2013.
Lamin Jamal mund të thyejë rekordin e Ansu Fatit, i cili është, deri më tani, lojtari më i ri që ka shënuar në një “El Clasico” me 17 vjeç e 359 ditë.
– Serxhio Buskets (2008-2023) është lojtari me më shumë paraqitje në Klasiken e futbollit spanjoll me 48 ndeshje, me 29 prej tyre në Liga. Ai pasohet nga Serxhio Ramos me 45 takime (2005-2021) dhe Leo Mesi po me 45 ndeshje (2004-2021).
– Sa i përket golashënuesve më të mirë historikë, me 18 gola në 29 duele, Leo Mesi është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i “El Clasico” në La Liga. Ai ndiqet, me 14 gola, nga shoku i tij argjentinas dhe legjenda madrilene Alfredo Di Stefano (1953-1964), Çezar Rodrigez (12 midis 1942 dhe 1955, Barcelona) dhe Raul Gonzalez (11).
– Duke marrë parasysh të dhënat globale, Leo Mesi është gjithashtu në krye. Argjentinasi ka shënuar 26 gola në 45 ndeshje kundër Madridit. Pas tij, me 18 gola në total, janë madrilenët Alfredo Di Stefano dhe Kristiano Ronaldo (2009- 2018).
– Në 16 ndeshjet që ka drejtuar Realin kundër Barcelonës në La Liga (10), Kupën e Mbretit (3) dhe në Superkupën e Spanjës (3), trajneri aktual i Realit, Karlo Ançeloti nuk ka regjistruar asnjë barazim. Italiani numëron 9 fitore dhe 7 humbje.
– Në 188 ndeshje mes Realit të Madridit dhe Barcelonës në La Liga, ata kanë shënuar gjithsej 605 gola mes dy skuadrave, gjë që siguron spektakël. Vetëm në nëntë klasike dueli është mbyllur pa gola. Kjo nuk ka ndodhur në “Santiago Bernabeu” që nga prilli 2011.