Përçarjet në Lëvizjen Besa thellojnë krizën në këtë parti (Video)

0

“Ideja vazhdon…” është thënia e postuar në rrjetet sociale e njërit nga themeluesit e Lëvizjes Besa, Zeqirija Ibrahimi. Në postim është i bashkangjitur paralajmërimi i degës së Shkupit për mbajtjen e Kongresit të partisë të dielën e ardhshme më 18 shkurt. Kjo situatë ka turbulluar ujërat edhe më shumë brenda partisë, dy javë para mbajtjes së Kongresit të paralajmëruar më 24 shkurt nga Dega e Tetovës.

“Kongresi do te zhvillohet në bazë të procedurave që janë paraparë me statut dhe me rregulloren për organizim të Kongresit. Pas përmbylljes së procesit të zgjedhjeve të brendshme na mbetet vetëm edhe organizimi i Kongresit si maja e organizimit të brendshëm të Lëvizjes Besa. Në bazë të statutit dhe rregullores kandidatet mund të kandidohen në Kongres, ndërsa ajo që është më e rëndësishme është së në Kongres do të zgjidhen dy organet kryesore të Lëvizjes Besa: Kryetari dhe Kuvendi Qendror”, thanë nga Lëvizja BESA, Dega e Shkupit.

Nga zyra e kryetarit të Besës, Bilall Kasami thonë se mos-mbajtja e një kongresi të vetëm të partisë vë në dukje se kush ka nisur të bëjë përçarjet, të cilat u shfaqen muaj më parë.

“Dihet se Kongresi i Parë i Lëvizjes Besa është caktuar para dy muajve për me datë 24.02.2018 dhe për këtë vendim është njoftuar edhe opinioni publik. Sot ky grup i pakënaqur po tenton të fusë huti brenda anëtarësisë së Lëvizjes Besa për gjoja organizim të kongresit paralel duke keqpërdorur logon zyrtare të Lëvizjes Besa dhe se çdo organizim i tillë për ne do të konsiderohet si aheng privat”, shtuan nga Lëvizja BESA, Dega e Tetovës.

Nga gjithë këto ndodhi, thuhet në kumtesë, Lëvizja Besa u pastrua nga elementet e dyshimta dhe pas 24 shkurtit, sipas tyre, do dalë edhe më e fuqishme për të vazhduar tutje. Përçarjet në janar, erdhën pasi që tre themeluesit e kësaj partie u distancuan nga kryetari aktual Bilall Kasami, të cilit i kërkuan përgjegjësi për mo-arritjen e rezultateve të pritura në zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Kasami nuk dha dorëheqje, andaj kjo parti u përça duke zgjedhur kryetarin paralel Nexhbedin Kahremani.