Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe zëvendëskryetarja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, si pjesë e turneut të saj treditor në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitës, Kallas pritet të riafirmojë angazhimin e BE-së ndaj rajonit dhe të përcjellë mesazhe rreth prioriteteve të BE-së në politikën e jashtme dhe sigurinë.
Siç njofton Shërbimi evropian për Punë të Jashtme, Kallas do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski.
Gjithashtu, Kallas dhe ministri i Punëvet të Jashtme dhe Tregti, Timço Mucunski do të hapin Dialogun e parë për siguri dhe mbrojtje mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, që pason nënshkrimin e Marrëveshjes dypalëshe për partneritet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në nëntorin e vitit të kaluar.
Është paraparë që Kallas së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Vllado Misajllovksi ta vizitojë Grupin e përheshëm të punës mjekësore të Ballkanit.
Që nga viti 2023, Këshilli i BE-së ka miratuar tre pako dypalëshe për mbështetje përmes Fondit Evropian të Paqes (FEP) për forcimin e kapaciteteve të Armatës së Maqedonisë së Veriut. Me gjithsej 38 milionë euro, FEP aktualisht i siguron Maqedonisë së Veriut pajisje ushtarake dhe trajnim në fusha si logjistika, inxhinieria, zbulimi, mbikëqyrja dhe zbulimi në luftën elektronike, mobiliteti, sistemet e komunikimit dhe informacionit, si dhe pajisje mjekësore dhe për trajnim. Vendi, gjithashtu përfiton nga mbështetja e FEP-së në kuadër të masës rajonale për ndihmë për Forcën e destinuar mjekësore të Ballkanit, në vlerë prej 6 milionë euro, për furnizimin me pajisje mjekësore dhe spitale në terren.
Kaja Kallas, në kuadër të vizitës në Shkup, do të ketë takime edhe me përfaqësues të organizatave rinore dhe studentore nga vendi.
Para vizitës në Shkup, Kallas do t’i vizitojë Prishtinën dhe Beogradin.
Kjo është vizita e dytë e Kallasit në rajon që nga marrja e detyrës, pasi më herët, nga 7 deri më 9 prill, vizitoi Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën.
Qëllimi i vizitave është të shprehet përkushtimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor dhe mbështetja për perspektivën e anëtarësimit të vendeve të rajonit në Union, por edhe për forcimin e përpjekjeve të tyre për përafrimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së bllokut.