Përfundoi Edicioni i XXIV i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”

0

Prej 15–18 tetor 2020, në Tetovë u mbajt Edicioni i XXIV i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Përgjatë tri ditëve u mbajtën aktivitetete të shumta letrare, artistike, shkencore dhe kulturore.

Në te morrën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: Lidija Dimkovska (Maqedoni e Veriut). Bardhyl Maliqi (Shqipëri), Craig Czury (SHBA), Xhuzepe Napolitano (Itali), Diti Ronen (Izrael), Francoise Roy (Kanada/Meksikë), Nikole Kazhë Florentini (Martinike), Puntorie Muça (Maqedoni e Veriut), Krystina Lenkovska (Poloni), Dalila Hiaoui (Maroko), Olimbi Velaj (Shqipëri), Poul Dabaard (Danimarkë), Elena Prenxhova (Maqedoni e Veriut), Ida di Iani (Itali), Mitko Gogov (Maqedoni e Veriut), Ioana Gruia (Spanjë), Ana Bageriana (Ukrainë), Zosi Zografidu (Greqi), Dimitar Hristov (Bullgari), Daim Miftari (Maqedoni e Veriut), Sofia Skleida (GreqI), Arlind Farizi (Maqedoni e Veriut), Bujar Plloshtani (Maqedoni e Veriut).

Hapja festive e Edicionit të XXIV të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë me anë të ndezjes së fishekzjarreve dhe flakadanëve që bartnin të rinjtë me veshje kombëtare shqiptare, para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Ndërkaq, buqete lulesh u vendosën para shtatores së poetit tonë kombëtar Naim Frashëri dhe një minute heshtje, në 120 vjetorin e vdekjes, iu dha poetit kombëtar Naim Frashëri.

Edicionin e XXIV të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash, theksoi se, ‘Ky është viti i errët për njerëzimin. Pandemia ka përmbysur sistemin dhe kodin e të jetuarit. Ka rritur paqartësinë e të tashmes dhe të ardhmes. Jeta është privuar në masë të madhe nga bukuria e saj. Shoqëria jonë ka momentet e saj më të këqia stresive e depresive.

Një fotografi e tillë është frikësuese. Ajo ka nevojë për vepra, të cilat do ta ndriçojnë njerëzimin, do ta fisnikërojnë dhe plotësojnë ate. Andaj, duhet besuar se, poezia (dhe artet tjera), duhet të flasin çdo ditë, që të mund të rruhet mendja e shpirti ynë.

Edhe “Ditët e Naimit”, si operator shumdimensional kulturor e letrar, po provojnë në kushte pandemie të jenë pjesë e këtij kontributi për të mundur të keqen dhe për të sjellë normalitetin. Duhet të besojmë fort se, “Jeta është e bukur”, dhe se, ne me anë të poezisë qëndrojmë më pranë perendisë.

Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, poetët lexuan poezitë e tyre (poetët e huaj në mënyrë virtuale). Ndërkaq, Laureatja e Festivalit, poetja maqedone Lidija Dimkovska, për shkak të pandemisë nuk arriti të jetë në Tetovë. Ajo ajo të pranishmëve përmes videos i drejtua me fjalët se “Asnjëherë deri më tani, nuk kam qenë njëkohësisht aq e lumtur dhe e pikëlluar, në botën e poezisë. Jam e lumtur që sivjet pikërisht poezia ime është zgjedhur të shpërblehet me çmimin e lartë ndërkombëtar poetik që e mban emrin e poetit të madh shqiptar, Naim Frashëri, dhe jam e pikëlluar njëherazi , që për shkak të situatës momentale me virusin e COVID-19 nuk munda të vijë nga Lubjana e Sllovenisë ku jetoj në Tetovë, që të jem me ju. Gjithë këtë kohë kam shpresuar se kjo do të jetë e mundshme dhe i jam gëzuar Festivalit, por tani jam e detyruar të jem prezente vetëm në këtë video mënyrë. Por, megjithatë, edhe kjo është më mirë se mungesa e tërësishme nga kjo ngjarje e mrekullueshme.

Për mua paraqet një nder të vecantë që në 24 vjetorin e ekzitencës së çmimit dhe të vetë festivalit poetik, “Ditët e Naimit”, jam fituesja e parë maqedonase e çmimit. Ndjej nevojën që çmimin në mënyrë simbolike ta ndaj dhe t’jua përkushtoj të gjithë atyre poetëve dhe poeteve maqedonase që kanë mundur ta fitojnë, por ja që ky çmim më priti mua. Ne jemi bashkëkohës të fjalës, ndërsa pa fjalë nuk ka poezi.