Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ndërpreu seancën për ndryshimet kushtetuese. Pas fjalimit të koordinatorit të grupit parlamentar të LSDM, Jovan Mitrevski, kryeparlamentari, Talat Xhaferi e ndërpreu seancën, përcjell INA.
Xhaferi bëri të ditur se do të japë informacione shtesë për vazhdimin.
Partitë e koalicionit qeverisës theksuan se këto ndryshime janë në frymën e Manifestit të Krushevës, në frymën e ASNOM-it, Marrëveshjes së Ohrit dhe se janë përgatitur nga një grup punues i përbërë nga ekspertë, profesorë të dëshmuar dhe disa universitete në vend, si dhe përfaqësues të partive politike.
“Me miratimin e ndryshimeve kushtetuese ne vazhdojmë rrugën evropiane drejt anëtarësimit të plotë në vitin 2030. Kjo është një mundësi historike për të cilën ne kemi mbështetje të fortë nga partnerët tanë SHBA dhe BE. Të rinjtë tanë, fëmijët tanë e meritojnë të jetojnë në një shtet anëtar të BE-së, por këtu, në shtëpi, në vendlindje”, tha Mitreski nga LSDM.
“Në momente të këtilla gjithë duhet të jenë optimistë dhe nuk guxojmë ta humbim shpresën, pavarësisht a do të kemi sot numrat ose jo, ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në momentin e fundit”, deklaroi Arta Bilalli-Zendeli nga BDI.
“VMRO është partia që e çon ujin në mullirin e Bullgarisë, që nëse ata angazhohen për mbrojtjen e identitetit maqedonas dhe nëse nuk i nisim negociatat për BE, mund të ketë një fluks më të madh të maqedonasve që do të marrin pasaporta bullgare”, deklaroi deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.
“Mos të hyjmë në prognoza, sot është ditë e rëndësishme ku do të shohim. Sipas informatave ‘Frontin Evropian’ e kanë pasur vetëm për ta mbajtur gjallë qeverisjen, jo integrimet apo interesat strategjike të shtetit”, deklaroi Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike.
Pas përfundimit të seancës, koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, në një konferencë për media tha se nuk ka shumicë prej dy të tretash në Kuvend për amendamentet kushtetuese dhe se duhet të ketë zgjedhje.
Vendimi për nevojën e ndryshimeve kushtetuese merret me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, që do të thotë të paktën 80 vota nga 120. Për rendin e ditës të seancës së sotme kanë votuar 70 deputetë, që është sinjal se 10 deputetë mungojnë për të votuar ndryshimet kushtetuese.(INA)