Përfundon ekspertiza e telefonit, a do të marrë Janeva status të personit të dyshuar?

0

Përfundoi ekspertiza e njërit prej dy telefonave që i ka poseduar prokurorja speciale, Katica Janeva. Këtë e bëjnë me dije nga Prokuroria Publike Themelore, duke shtuar se për shkak të hetimit, nuk mund të zbulojnë të dhëna zyrtare rreth rezultateve nga ekspertiza.

Ajo ishte porositur që të shihet komunikimi me të dyshuarin e parë në këtë lëndë, Bojan Jovanovski-13, por tani për tani nuk ka informata nëse raporti i ekspertizës do të bëjë që Katica Janeva të konsiderohet si e dyshuar.

Hetuesit, nga shtëpia e Janevës janë kthyer me vetëm një nga dy celularët, sepse për telefonin e dytë ka thënë se e ka humbur. Prokurorja Ruskovska, këtë fundjavë, zbuloi se i biri i Katicës, Llazar Janev, ka thënë se celularin e dytë e ka humbur në Beograd.