”Përgatiten skenare për të baltosur Këshillin Organizativ të protestave kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”

Këshilli Organizativ i protestave kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, sot para Pallatit të Kulturës në Tetovë ka mbajtur një konferencë për media. Gjatë prononcimit ata theksuan se kohëve të fundit bëhen përpjekje të ndryshme nga ELEM, MEPSO, KRRE, EVN për baltosjen e Këshillit Organizativ. Nga burime brenda këtyre kompanive, ata bëjnë të ditur se përgatiten skenare për djegien e disa trafo-stacioneve nëpër qytete të ndryshme. Kjo, sipas tyre, bëhet me qëllim për të defokusuar qëllimin e pastër të Këshillit dhe nxitjen e mllefit tek populli ndaj inicativës, njofton Albanews24.

”Nga burime brenda këtyre kompanive kemi informacione se përgatiten skenare nga këto kompani që të zbehin besimin e popullit ndaj Këshillit Organizativ. Një ndër skenarët që duan ta realizojnë me qëllim që të na e mveshin neve është djegia e disa trafo-stacioneve nëpër qytete të ndryshme. Kjo bëhet me qëllim për të defokusuar qëllimin tonë të pastër dhe të nxisin mllef tek populli ndaj inicativës. Por, le ta dijnë se këto skenare nuk pijnë ujë tek populli. Ata mundohen të paraqesin një realitet tjetër, të trilluar dhe të devijojnë nismën tonë. Por mos të lodhen kot, sepse qytetarët dijnë të bëjnë dallimin midis realitetit dhe trillimeve. Realiteti janë faturat e larta dhe të papërballueshme”, u tha ndër të tjera nga Këshilli.

Ata shtojnë se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të Këshillit Organizativ. Kërkesa që burojnë nga zëri i skamjes dhe nevojës shoqërore. Gjithashtu bënë thirrje te të gjithë qytetarët që t’i bashkohen Marshit të madh protestues së ditës së premte, në ora 7PM, në sheshin ILIRIA deri te EVN.