PËRGJYSMIMI I BANORËVE SHQIPTARË NË MAQEDONI

0

Abdullah Mehmeti

Përgjysmimi i numrit të banorëve shqiptarë në Maqedoni, me falsifikimin e të dhënave statistikore apo me shpërnguljen e tyre jashtë vendit, përbën gjenocit dhe krim kundër njerëzimit! Ky nuk është një shtrembërim, thjesht një falsifikim i zakonshëm, gabim i vogël apo ndryshim për 1, 2, 3%, por përgjysmim, që një hap më tej do të nënkuptonte shuarje (shfarosje) e plotë e shqiptarëve nga trojet e veta etnike, nga shteti i tyre i Maqedonisë!

Kush tha se i paska çliruar shqiptarët në Maqedoni, i ka shndërruar në popull shtetformues, u paska siguruar të drejta të barabarta, përderisa numri i shqiptarëve (zyrtarisht) vazhdon të paraqitet i përgjysmuar, me ndihmën edhe të klaneve partiake të shqiptarëve në pushtet?!

SA JANË SHQIPTARËT NË MAQEDONI, SI SUNDOHEN DHE NGA SHKOJNË?

Mjafton një vështrim mbi këto të dhëna statistikore (zyrtare), që secili shqiptar, në atdhe apo në mërgatë, të jetë i vetëdijshëm se:

1. Çështja shqiptare në Maqedoni përbën nyjën dhe çelësin kryesor të çështjes kombëtare shqiptare në rajon, sot dhe në të ardhmen, pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës.

2. Sipas të dhënave statistikore, të paraqitura në tabelën e mëposhtme, numri i shqiptarëve në këtë shtet është mbi 35-40%, nuk është 20% apo 25%, siç paraqitet nga pushteti, bashkë me këtë të limitohen edhe të drejtat e tyre me kushtetutë, ligje dhe me Marrëveshjen kornizë të Ohrit, e cila fatkeqësisht është përfshirë edhe në preambulën e kushtetutës aktuale të Maqedonisë Veriore, si marrëveshje që realisht është dashur me kohë të shkojë në histori, jo si marrëveshje për garantimin e barazisë së plotë të shqiptarëve në këtë shtet, por si një marrëveshje e përkohshme paqeje, për tejkalimin e krizës politike dhe ushtarake të krijuar me konfliktin e armatosur të vitit 2001.

3. Sipas të dhënave zyrtare, shqiptarët jo vetëm që përbëjnë mbi 35% të banorëve në këtë shtet, por, sipas numrit të fëmijë të lindur nga prindër shqiptarë nga Maqedonia, me punë të përkohshme në botën e jashtme, i cili sillet mes 3500- 5000 fëmijë të sapolindur çdo vit, e rrit këtë përqindje të banorëve shqiptarë në Maqedoni mbi 40%.

4. Në këtë përqindje, mbi 35 – 40%, nuk janë përfshirë fëmijët nga prindër shqiptarë ortodoksë dhe katolikë, të cilët janë me rrënjë shqiptare, të asimiluar nga ish-regjimi komunist jugosllav, si edhe në periudhat e mëhershme, me ndryshimin e gjendje së përgjithshme politike në rajon, nga viti 1878, 1913, 1945 dhe në vazhdimësi.

5. Nga këto të dhëna të pakundërshtueshme, pa manipuluar për numrin e shqiptarëve ortodoksë dhe katolikë në Maqedoninë Veriore, të cilët në rrethana më të favorshme mund shumë lehtë, për interesa të tyre, të rikthehen në rrënjët e tyre, identitetin kombëtar të vërtetë, të trashëguar nga paraardhësit e tyre shqiptarë, numri i përgjithshëm i shqiptarëve në Maqedoninë Verore padyshim se përbën mbi gjysmën e banorëve në këtë shtet.

Secili shqiptar duhet të jetë i vetëdijshëm se, në asnjë rrethanë dhe me çfarëdo mase politike e represive, manipulimi dhe falsifikimi nga pushteti, i numrit të banorëve shqiptarë sot, nuk e zhbën realitetin dhe aspiratat historike të popullit shqiptar në trojet e veta etnike, si kudo tjetër edhe në shtetin e tyre të Maqedonisë, ku jetojnë në vazhdimësi historike dhe gjeografike, janë populli i vetëm autokton dhe përbëjnë shumicën e banorëve, edhe pse ende mes shqiptarëve pushteti gjen bashkëpunëtorë, argatë dhe mercenarë, me qëllim të heshtjes dhe paraqitjes rrejshëm të këtij realiteti, siç e bën sot me drejtuesit e partive politike të shqiptarëve, të cilëve asnjëherë nuk u ka interesuar numri i banorëve shqiptarë në këtë shtet, as mirëqenie dhe fati i tyre sot dhe as perspektiva në të ardhmen, por vetëm interesat personal dhe grupore të disa bandave në pushtet, politikanë të korruptuar, të kapur nga shërbimet sekrete dhe pushteti, pjesa dërmuese e të cilëve kanë dosje të trasha hajnish e krimesh, të cilat herë apo vonë do të bëhen publike, por, deri atëherë, koha e humbur për ringritjen dhe përparimin e popullit shqiptar në Maqedoni është tepër e çmuar, nuk duhet të humbet pas ideve të kësaj klike mashtruese politikanësh, të cilëve përveç pushtetit asgjë tjetër nuk u ka interesuar, së paku deri më sot.

Duan apo nuk duan të tjerë, duan apo nuk duan edhe politikanët e sotëm shqiptarë, e ardhmja e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore do të jetë më e lumtur seç e (ngulfat) planifikon pushteti, disa politikanë shqiptarë, analistë dhe medie, zëdhënës të pushtetit aktual.

Perspektiva e shtetit të Maqedonisë Veriore në kornizat e Ballkanit Perëndimor krijon një të ardhme ndryshe për këtë shtet dhe për popullin shqiptar dhe banorët tjerë të tij.

Asnjë forcë politike, brenda apo nga jashtë, nuk mund ta ndalë këtë proces, i cili me hapa të shpejtë e largon këtë shtet nga kthetrat e pretendimeve dhe lakmive të shteteve fqinje mbi Maqedoninë, duke ia afruar botës perëndimore demokratike, përmes procesit të integrimeve euroatlantike.

(12 janar 2021)