Të premten në ShBA u dënua me burgim të përjetshëm, një rekrutues i ISIS-it që përhapi propagandën e grupit terrorist në internet dhe luftoi së bashku me anëtarët e tij në një përpjekje për të zhvilluar një xhihad global.
Mirsad Kandiq, 41 vjeç, nga Brooklyn, New-Yorku, u dënua nga një juri federale në maj 2022, pas arrestimit të tij në 2017 në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë.
Ai u akuzua për konspiracion dhe ofrim dhe përpjekje për të ofruar mbështetje për Shtetin Islamik.
Prokurorët thanë se Kandiq rekrutonte njerëz nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe gjetkë për të udhëtuar në Siri dhe Irak dhe për t’iu bashkuar betejave të ISIS-it. Ai dyshohet se i tha një bashkëpunëtori në internet se punonte në Turqi në zyrën kufitare të Shtetit Islamik si pjesë e një ekipi që kryente kontrolle të historisë së luftëtarëve të huaj që donin të shkonin në Siri.
Ai përhapi propagandën e ISIS-it duke përdorur më shumë se 120 llogari në Twitter, përmes të cilave postoi video të robërve të ISIS-it, duke përfshirë disa në të cilat viktimat detyroheshin të gërmonin varret e tyre përpara se të ekzekutoheshin. Ai dërgoi mijëra luftëtarë të radikalizuar nga vendet perëndimore në territoret e kontrolluara nga ISIS në Siri dhe Lindjen e Mesme.
“Kandiq ishte një anëtar i rangut të lartë të ISIS-it, i cili e shijoi vdekjen dhe shkatërrimin që ai bëri duke ofruar çdo formë të mundshme të mbështetjes materiale për një organizatë terroriste, duke përfshirë rekrutimin e shumë të tjerëve në fushatat e përgjakshme të ISIS-it në Siri dhe gjetkë”, tha Prokurori i SHBA-së, Breon Peace.
Departamenti i Drejtësisë në ShBA thotë se Kandiq është shtetas i Kosovës dhe banor i përhershëm ligjor i Shteteve të Bashkuara. Thotë se ai ishte një nga mijëra figurat e radikalizuara nga dhjetëra vende që udhëtuan në Lindjen e Mesme për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, një grup brutal i njohur për detyrimin e grave në marrëdhënie seksuale, skllavëri dhe për mbytje, djegie dhe prerje koke të të burgosurve.
Megjithëse atij i ishte ndaluar fluturimi nga ShBA-ja, dhe pas disa përpjekjeve të dështuara për t’u larguar nga atje për në Stamboll, Turqi, “Kandiq bëri një udhëtim dy-ditor me kompaninë e autobusëve “Greyhound” nga New York City në Monterrey, Meksikë, në nëntor 2013, dhe fluturoi përmes Panamasë, Brazilit, Portugalisë, Gjermanisë, Kosovës, dhe Turqisë përpara se të mbërrinte në Siri në fund të vitit 2013.
“The New York Times” shkruan se pas mbërritjes në territorin e ISIS-it, prokurorët thanë se Kandiqi iu bashkua një brigade me luftëtarë kryesisht të huaj, të quajtur Jaish al-Muhajireen wal-Ansar dhe të udhëhequr në atë kohë nga një shtetas gjeorgjian, Omar al-Shishani, i cili shërbeu si ministër i luftës i Shtetit Islamik.