Në Çair të Shkupit është përkujtuar shkrimtari, publicisti dhe mësimdhënësi i shquar, Fadil L. Curri.
Në datën e lindjes dhe pas më shumë se 5 muaj që kur ai kaloi në botën e amshueshme, është përjetësuar edhe emri i tij – duke u emëruar leximorja në komunën më të madhe shqiptare.
Leximorja në Çair, do të quhet Leximorja “Fadil Curri, ndërkaq “Hani i tre djajve” do të jetë libri i fundit i botuar, nga dorëshkrimi i lënë në botim kur ai ndërroi jetë.
“Në këtë libër janë trajtuar disa temë që ndoshta asnjëherë s’i kemi dëgjuar ose për herë të parë do t’i dëgjojmë, përfshirë edhe disa figura stilistike”, tha Rexhep Bajrami, recensent i librit.
Në Akademinë Përkujtimore që u mbajt në po të njëjtën ditë në Komunën e Çairit, nuk u fol vetëm për librin e fundit të tij, por edhe për fillet e tij në krijimtarinë poetike, kur ai ishte vetëm filloristë. Mitat Shaqiri, mësimdhënës i historisë në pension, me të cilin u shoqërua që nga ajo moshë, kujtoi edhe momentet e rebelimit të veprimtarit të çështjes kombëtare.
“Poezia e tij pati karakter social, e bazuar në ekzistimin e dy botëve të kundërta ku lartësohej partia, lideri dhe shteti dhe në të cilën të gjithë do të jetonin në mirëqenie dhe të barabartë. Kësaj Fadili me guxim të pashoq iu kundërvu me poezinë dhe prozën e tij të kohës dhe dalë ngadalë kalon në një nivel tjetër dhe shndërrohet në një rebel”, tha Shaqiri mes tjerash.
Me letë telegrami e kujtoi edhe miku tjetër i fëmijërisë, Qazim Braimi.
E ndërkaq aktivisti civil, Ramadan Ramadani kujtoi kohën më pjellore të aktivizmit qytetar, në të cilën bënte pjesë edhe Curri.
“Fadil Curri ka qenë ai plaku i urtë, luftëtari i panjohur, heroi i heshtur, urtaku i paemër dhe kjo shoqëri shqiptare e Shkupit mund ta dëshmojë këtë edhe me shumë vepra të tjera. Aga Fadil, unë i thoja ashtu për shkak të edukatës së lagjeve tona ku jemi rritur, ka qenë me shumë shtresa identitare. Ai ka qenë babë, burrë, gjysh, kosovar, shkupjan, haxhi, mysliman, mësues, arsimtar, poet, gazetar, kritik letrar dhe shkrimtar, por mbi të gjitha këto shtresa identitare Fadil Curri ka qenë shqiptar”, tha Ramadani.
Të pranishëm ishin edhe kryetarët e Komunës së Çairit dhe Hanit të Elezit.
“Është vlerë e jashtëzakonshme, e ngritur sa ne s’mund ta ngritim më shumë se sa ai veten që e ka ngritur”, tha Mehmet Ballazhi, kryetar i Hanit të Elezit.
“Në mungesë të tij, ditëlindjen e tij po e shënojmë me emërtimin e Leximores me emrin “Fadil Curri”. Ndoshta e vogël, por me peshë të madhe në funksionalitet”, tha Visar Ganiu, kryetar i Çairit.
Nga kolektivi i Shkollës Komunale “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit është ndarë edhe mirënjohja postmortum nga drejtori Akif Shkreta.
Për këtë organizim, u përkujdes Azam Dauti nga Shoqata Botuese “Shkupi” dhe familjarët e shkrimtarit dhe autorit të ndjerë./TV21