Përkundër armëpushimit, pati sulme në Siri

0

Përkundër rezolutës së OKB-së për armëpushim Observatori Sirian për të Drejta të Njeriut ka njoftuar se bombardimet në Ghoutën Lindore kanë vazhduar, vetëm disa minuta pasi që Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën, me të cilën kërkohet vendosja e një armëpushimi njëmujor në Siri. Aeroplanët bombarduan vendin Shifunijeh, i cili gjendet brenda enklavës së kontrolluar nga kryengritësit. Këshilli i Sigurimit miratoi njëzëri rezolutën, me të cilën kërkohet vendosja e menjëhershme e armëpushimit 30 ditore në Siri, me qëllim që të mundësohet shpërndarja e ndihmave humanitare, si dhe evakuimi i civilëve të plagosur dhe të sëmurë. Ambasadori rus në OKB, Vasilli Nebenzja, deklaroi se Moska nuk do të lejoi që shtetet tjera të interpretojnë sipas dëshirës së tyre rezolutën për armëpushim në Siri. Ai me këtë rast tha se Rusia kërkon nga Uashingtoni që të ndal kërcënimet kundër qeverisë në Damask. Ambasadori rus gjithashtu shprehu brengën për shkak të deklaratave publike të disa zyrtarëve amerikanë, të cilët sipas tij po kërcënojnë me agresion Sirinë. Në anën tjetër, Turqia përshëndeti miratimin e rezolutës, miratimi i së cilës u shty për dy ditë, me qëllim që të sigurohej mbështetja e Rusisë. Sponsorët e rezolutës, Kuvajti dhe Suedia ndryshuan përmbajtjen e rezolutës në momentet e fundit, për të siguruar mbështetjen Moskës. Përpjekjet u dëshmuan të suksesshme, përkundër faktit se ambasadorja amerikane, Nikki Haley kritikoi ashpër Rusinë për shkak të zvarritjes së votimit. Në rezolutë nuk përmendet periudha kohore se kur duhet të hyjë në fuqi armëpushimi, por kërkohet që të lejohet lëvizja e konvojeve humanitare dhe e ekipeve mjekësore, me qëllim të evakuimit të të sëmurëve dhe të plagosurve.

Lexo me shume: http://rtv21.tv/observatori-sirian-per-te-drejta-te-n/
© RTV21.tv