Përmbledhja e raportit Myler: Pse ndaj Trumpit, nuk pati akuzë për komplot me rusët

0

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Uilliam Barr, publikoi të enjten raportin e shumëpritur të prokurorit special Robert Myler, për hetimin e tij mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Ja cilat janë disa nga pjesët më interesante, të raportit të plotë prej 448 faqesh:
Prokurori special, shpjegon pse nuk ka bërë ndonjë kallëzim penale lidhur me dyshimet për komplot, dhe flet në detajet se si disa nga individët që ai hetoi ose intervistoi, gënjyen ose kishin fshehur komunikimet mes tyre:
“Ndërsa hetimi identifikoi lidhje të shumta, ndërmjet individëve që kishin lidhje me qeverinë ruse, dhe individëve të lidhur me fushatën e Trump, dëshmitë nuk ishin të mjaftueshme për të mbështetur akuzat penale. Ndër të tjera, provat nuk ishin të mjaftueshme për të ngarkuar me fajt ndonjë zyrtar të fushatës, si një agjent të qeverisë ruse.
Për më tepër, nuk kishte prova të mjaftueshme për të akuzuarit, anëtarë të fushatës së Trump, se kishin komplotuar me përfaqësuesit e qeverisë ruse, për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016.
Hetimi përcaktoi se disa individë të lidhur me fushatën e Trumpit, gënjyen para meje dhe në Kongres, për ndërveprimet e tyre me individët e lidhur me Rusinë dhe çështjet e lidhura me to. Prokuroria akuzoi disa prej tyre për këto gënjeshtra, si shkelje të statutit federal të deklaratave të rreme …”

Në një seksion, që lidhet me episodet që përfshijnë presidentin Trump dhe pengimin e mundshëm të drejtësisë, ekipi i Myler shpjegon se si “është vendosur të mos bëjë një gjykim tradicional të prokurorisë:
“Përveç pikëpamjes kushtetuese, ne menduam se një akuzë kriminale federale kundër një presidenti në detyrë, do të ishte një barrë e madhe mbi kapacitetin e presidentit për të qeverisur, dhe potencialisht do të parandalonte proceset kushtetuese për trajtimin e sjelljes së keqe të presidentit.”
Lidhur me çështjen nëse takimi në Trump Toëer, midis Donald Trump Jr., Jared Kushner, Pol Manafort dhe një avokati rus, përbënte një komplot, ekipi i Myler shkruan:
“Për aq fakte sa kemi në dispozicion, qeveria nuk ka gjasa të jetë në gjendje të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm, se pjesëmarrësit e takimit të 9 qershorit 2016, kishin dijeni se sjellja e tyre ishte e paligjshme. Hetimi nuk ka gjetur dëshmi, se pjesëmarrësit në takim ishin të njohur me ndalimin e kontributit të huaj, ose zbatimin e ligjit federal në kontekstin përkatës…”
Ekipi i Mylerit, përshkruan reagimin e Trump, kur zbuloi se për ndërhyrjen ruse ishet caktuar një prokuror i posaçëm:
“Presidenti u lëshua sërish në karrigen e tij dhe tha: “Oh Zot! Kjo është e tmerrshme. Ky është fundi i presidencës sime. Mora fund”. Presidenti u zemërua, dhe ushtroi presion ndaj Prokurorit të Përgjithshëm, Xhef Seshën, për vendimin e tij për t’u larguar nga hetimi, duke i thënë: “Si mund ta lejonit që të ndodhte kjo Xhef?”.
Presidenti tha se emërimi prej tij i Prokurorit të Përgjithshëm, ishte një ndër më të rëndësishmit, dhe se Seshën e kishte “lënë të rrëzohej”, duke e krahasuar atë me Erik Holder dhe Robert Kenedin. Seshën, kujton se presidenti i tha atij: “T’i duhej të më mbroje mua”, ose fjalë që kishin të bënin me këtë qëllim.”
Trump u përpoq të bindte ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Xhef Seshën, të “distancohej” nga hetimi i prokurorit special.
“Presidenti Trump, reagoi negativisht ndaj emërimit të prokurorit special. Ai u tha këshilltarëve se ky ishte fundi i presidencës së tij, dhe i kërkoi Prokurori i Përgjithshëm Xheferson Seshën, të distancohej nga hetimi mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, të ndryshonte prokurorin special, dhe të angazhohej në kufizimin e hetimit mbi këtë çështje, për të parandaluar zbulimin e dëshmive, duke përfshirë kontaktet publike dhe private me dëshmitarët potencialë.”
Në qershorin të vitit 2017, Trump i tha këshilltarit të tij Don Mekgan, që të nxisë kryprokurorin ta largonte Mylerin nga detyra e prokurorit special:
“Megjithatë, Mekgan nuk e bëri këtë, duke vendosur më mirë të jepte dorëheqjen. Atë mbrëmje të shtunë, ai thirri edhe Pribusin dhe Benonin, dhe u tha atyre se donte të jepte dorëheqjen. Mekgan, kujton se pasi foli me avokatin e tij, dhe duke pasur parasysh natyrën e kërkesës së Presidentit, vendosi të mos e ndajë këtë histori me stafin tjetër të Shtëpisë së Bardhë.”
Ekipi i Mylerit, tregon se si Trump i`u përgjigj pyetjeve me shkrim mbi “tema të caktuara lidhur me Rusinë”, por nuk ra dakord të përgjigjej mbi pyetjet lidhur me pengimin e drejtësisë, apo ngjarjeve gjatë tranzicionit mes dy presidencave. Ekipi shpjegoi pse nuk e kërkoi me këmbëngulje këtë:
“Tek e fundit, ndërsa ne besonim se kishim autoritetin dhe justifikimin ligjor për të marrë një urdhër të Gjykatës së Lartë, me synim marrjen e dëshmisë së presidentit mbi këtë çështje, nuk zgjodhëm ta bënim këtë. E morëm këtë vendim, për shkak të vonesës thelbësore që një hap i tillë kishte të ngjarë të prodhonte në një fazë të vonë të hetimit tonë. Ne gjithashtu vlerësuam, se në bazë të dëshmive të rëndësishme që kishim marrë nga veprimet e presidentit, dhe deklaratat e tij publike dhe private, kishim dëshmi të mjaftueshme për të kuptuar ngjarjet e rëndësishme, dhe për të bërë vlerësime të caktuara pa dëshminë e Presidentit.”
Duke e përmbledhur hetimin e tij, në lidhje me faktin nëse fushata e Trumpit bashkëpunoi me Rusinë, Myler shkruan:
“Në tërësi, hetimi krijoi lidhje të shumta midis zyrtarëve të fushatës së Trump dhe individëve të lidhur me qeverinë ruse. Këto lidhje përfshinin ofertat ruse të ndihmës për fushatën. Në disa raste, stafi i presidenti ishte e gatshëm të pranonte ndihmën, ndërsa në raste të tjera, zyrtarët e fushatës refuzuan. Në fund të fundit, hetimi nuk vërtetoi se fushata e Trump ishte e koordinuar ose e komplotuar me qeverinë ruse, në aktivitetet e ndërhyrjes në zgjedhje.”
Ekipi i Mylerit, nuk ka gjetur dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar se Trump diktoi dëshminë e ish-avokatit të tij Majkëll Kohen në Kongres.
“Provat që zotëzojmë, nuk vërtetojnë se presidenti diktoi, ose e ndihmoi dëshminë e rreme të Kohen” – thuhet në raport.

“The Atlantic” – Bota.al