Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme i ka pezulluar nenet 17 dhe 18 nga Kodi Zgjedhor, me të cilat është rritur pragu për grumbullimin e nënshkrimeve për kandidatët e pavarur dhe listat që planifikojnë të marrin pjesë në zgjedhje.
Me këto ndryshime, kushti për kandidim nga qytetarët të pavarur ishte rritur nga minimum 1,000 nënshkrime në 1% të trupës votuese, gjë që praktikisht e bënte pothuajse të pamundur pjesëmarrjen e tyre. Për shembull, për të kandiduar si i pavarur në zgjedhjet parlamentare duheshin mbi 3,000 nënshkrime, ndërsa për zgjedhjet në qytetin e Shkupit duheshin të paktën 4,600 nënshkrime – rreth katër herë më shumë se më parë.
Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se këto kushte ishin pengesë për pjesëmarrjen e lirë dhe të barabartë në zgjedhje dhe për këtë arsye i ka shfuqizuar.
Dispozitat ligjore, për të cilat më 26 shkurt të këtij viti Gjykata Kushtetuese ka ngritur procedurë, ishin se kandidatët e pavarur dhe lisat që të gjenden në fletëvotim, duhet të mbledhin nënshkrime prej një për qind nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në njësinë konkrete zgjedhore (nëse bëhet fjalë për zgjedhje parlamentare) ose komuna (nëse bëhet fjalë për zgjedhje lokale).
Kontestuese është përgjigjja në nenet 17 dhe 18 të Kodit Zgjedhor. Me këto nene është imponuar detyrimi i një grupi votuesish që të mbledhin 1% të nënshkrimeve nga votuesit e regjistruar në certifikatën e Listës zgjedhore për kandidatë për kryetarë ose këshilltarë në komunat ose për deputetë në Kuvend
Me nenin 17 është ndryshuar neni 61, paragrafi 1 i Kodit Zgjedhor, në mënyrë që nëse më parë 1.000 nënshkrime ishin të mjaftueshme për kandidim, tani me ndryshimet e kontestuara, paraqitësit e listave të kandidatëve për deputetë nga grupi i votuesve janë të detyruar të mbledhin të paktën 1% të nënshkrimeve nga votuesit e regjistruar në certifikatën e Listës zgjedhore të njësisë zgjedhore. Neni 18, nga ana tjetër, ndryshon Nenin 62, paragrafi 1 të Kodit Zgjedhor, kështu që tani grupi i votuesve duhet të mbledhë të paktën 1% të nënshkrimeve të votuesve të regjistruar në certifikatën e Lista zgjedhore për komunën ose Qytetin e Shkupit.
Në propozim-raportin, gjyqtari raportues shprehu dyshime në lidhje me ndryshimet e reja nga pikëpamja kushtetuese, gjegjësisht se ato shkelin vlerat themelore të Kushtetutës, sigurinë dhe parashikueshmërinë juridike, si dhe parimin e sundimit të ligjit. Ekziston gjithashtu dyshimi se është shkelur pluralizmi politik, si vlerë themelore e rendit kushtetues të rregulluar nga neni 8, paragrafi 1, alinea 5 e Kushtetutës.
Nismëtarët e iniciativës janë Liljana Popovska dhe të tjerë, si një grup qytetarësh, përmes një ndihmësi, zyrës së avokaturës Petrusheva nga Shkupi.
Këto ndryshime u votuan më 7 mars të vitit 2024 dhe është dashur të jenë të vlefshme për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti.