Përpjekja për të bindur amerikanët që të vënë maska, një detyrë jo e lehtë

0

Shkenca është e qartë: Maskat shpëtojnë jetë.

Në bazë të dhënave të tyre të fundit, studiuesit e Institutit të Shëndetësisë në Universitetin e Uashingtonit parashikojnë që afro 220,000 njerëz do të vdesin nga Covid-19 deri më 1 nëntor në Shtetet e Bashkuara.

“Nëse 95 për qind e amerikanëve përdorin maskat kur të dalin nga shtëpitë e tyre, kjo shifër do të binte me afro 34,000”, thanë shkencëtarët në një email. “Ata që refuzojnë maskat po e rrezikojnë jetën e tyre, familjet, miqtë dhe komunitetet e tyre.”

Por rezistenca ndaj përdorimit të maskave vazhdon në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në pjesët jugore dhe qëndrore të vendit, siç raportohet në një shkrim të gazetës New York Times.

Për shumë kundërshtarë përdorimi i maskës është çështje politike, dhe jo e shëndetit publik.

Presidenti Donald Trump këtë javë e mbështeti përdorimin e maskës në vendet publike. Më parë, ai kishte refuzuar ta bënte këtë.

Guvernatori republikan i Xhorxhias, Brian Kemp, ka bllokuar kryebashkiaken demokrate të Atlantës, të lëshojë një urdhër për ta bërë të detyrueshëm përdorimin e maskës.

“Refuzimi për të veshur maskën është egoist. Kjo cenon jetën dhe lirinë e të gjithë të tjerëve në një dyqan”, tha guvernatori demkrat i Karolinës së Veriut, Roy Cooper në një konferencë për shtyp në fillim të kësaj jave.

Kjo mund të jetë e vërtetë, por mesazhi nuk është i dobishëm, tha profesori i marketingut dhe psikologjisë në Universitetin Duke, Gavan Fitzsimons.

“Shumë njerëz e kuptojnë se disa nga udhëzimet e zyrtarëve të shëndetit publik janë kërcënime të drejtpërdrejta ndaj lirive të tyre”, tha Fitzsimons. “Ata do të bëjnë përpjekje të mëdha për të mos i respektuar ato udhëzime.”

“Përdorimi i shprehjeve si “egoist”, unë mendoj se do t’i bëjë më këmbëngulës njerëzit që tashmë janë kundër përdorimit të maskave”, shtoi ai. “Nuk mund të turpëroni dikë që po mbron një liri, dhe ta detyroni të heq dorë nga vendimi për të mbrojtur atë liri.”

Për hir të shëndetit dhe ekonomisë, kjo sjellje duhet të ndryshojë. Por si?

Një fushatë reklamash për shëndetin publik mund të jetë një mënyrë për realizimin e këtij synimi. Por ajo duhet të bëhet siç duhet.

“Ajo që nuk mund të bësh është turpërimi. Kjo nuk funksionon”, tha Andrew Schirmer, bashkë-president i agjensisë për marrëdhëniet me publikun, Ogilvy Health.

Mesazh nga Zoti

Ndoshta njerëzit do të dëgjojnë aktorin Morgan Freeman.

Në serinë e parë të reklamave me njerëz të famshëm që shteti i Nju Jorkut po publikon, zëri i thellë bariton i aktorit thotë: “Kur përdor maskën, ke respektin tim. Sepse maska jote nuk të mbron ty. Ajo më mbron mua.”