Kina do të rrisë tarifat shtesë për produktet e importuara nga Shtetet e Bashkuara në 125%, duke filluar nga e shtuna, njoftoi të premten Komisioni i Tarifave Doganore të Këshillit Shtetëror.
Njoftimi vjen pas lëvizjes së SHBA për të rritur “tarifat reciproke” për importet kineze në 125%. Komisioni tha se vendosja e tarifave tepër të larta ndaj Kinës, shkel seriozisht rregullat ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare. Ato bien ndesh me ligjet bazë ekonomike dhe sensin e përbashkët dhe nuk janë gjë tjetër veçse një ngacmim dhe detyrim i njëanshëm.
Edhe nëse SHBA vendos tarifa edhe më të larta, kjo nuk do të kishte më kuptim ekonomik. Përfundimisht do të hynte në historinë ekonomike botërore si një shaka, sipas komisionit.
“Duke pasur parasysh se tashmë është e pamundur që tregu kinez të pranojë importet amerikane në nivelin aktual të tarifave, nëse Shtetet e Bashkuara vendosin tarifa të mëtejshme për produktet kineze, Kina do t’i injorojë ato”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Tregtisë e Kinës tha të premten se vendi ka ngritur një padi kundër Shteteve të Bashkuara, pranë mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), në vijim të rritjes së fundit të tarifave nga ShBA.
Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten një rritje të mëtejshme të të ashtuquajturave “tarifa reciproke” ndaj produkteve kineze.
Kina do të mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat e saj legjitime. Vendi do të mbështesë me vendosmëri sistemin tregtar shumëpalësh dhe rendin ndërkombëtar ekonomik dhe tregtar, sipas zëdhënësit.
Kina i kërkon palës amerikane që të korrigjojë menjëherë keqbërjet e saj dhe të anullojë të gjitha masat e njëanshme tarifore të vendosura ndaj Kinës, tha zëdhënësi.