Përplasje edhe në Kamenicë mes PSD-së e VV-së

0

Përplasjet mes PSD-së së Shpend Ahmetit dhe Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, pas shpërfaqjes në Komunën e Prishtinës, janë shfaqur edhe në atë të Kamenicës.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Kamenicës, Ismete Thaçi, anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar publikisht pas, siç thotë, kërcënimeve të Kryetarit të Komunës, Qëndron Kastrati, ish-anëtar i VV-së e i cili tashmë ka kaluar në Partinë Social Demokrate.

Në reagim, Thaçi thotë t’i jetë kërkuar dorëheqja nga ky post “me arsyetime banale” nga ana e kryetarit të Komunës, ndërsa hedh akuza edhe për tradhti ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarëve nga ana e kryetarit Kastrati.

Ajo thotë se Kastrati fillimisht ishte “i maskuar si një djalë i qetë, i drejtë dhe i përkushtuar për të implementuar platformën qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje”, por që vazhdoi “të na mashtrojë të gjithëve në Lëvizje dhe në përgjithësi qytetarëve të Komunës tonë”.

“Menjëherë pasi Lëvizja ia siguroi fitoren në garën për Kryetar Komune, na mashtroi dhe na e vodhi fitoren tonë duke e dhuruar për PSD-në. Qëndroni na e vodhi mandatin, por kurrë s’do të mundet ta vjedhë aktivizmin tonë”, shkruan në reagimin e saj, drejtoresha e Arsimit, Ismete Thaçi, raporton Koha.net.

Thotë se Kastrati i ka dërguar një letër ku kërkon dorëheqjen e saj, por Thaçi thekson se në atë letër, kreu i Komunës liston probleme “as që kanë të bëjnë me mua si drejtoreshë e DKA-së, por me drejtorët e shkollave”.

“Nëse ka shqetësime të tilla, Kryetari do të duhej të kërkojë nga DKA që të thërrasë në raportim e përgjegjësi drejtorët e shkollave. Në fund ata zgjidhen dhe emërohen me firmë të Kryetarit, e jo të DKA-së”, thotë në fillim të reagimit të saj, Ismete Thaçi.

Më tej ajo thotë se presioni që është ushtruar ndaj saj për dorëheqje është pranuar edhe nga vetë kryetari Kastrati.

“Ai [Kryetari] ka treguar vetë po ashtu se në takim ka ushtruar presion mbi mua duke më thënë se më mirë dorëhiqu se sa të bëhesh cak i përgojimeve për problemet në arsim. Kryetari është aty për të drejtuar sipas ligjit dhe programit, jo për të ngritur skenarë denigrimi publik për drejtorët”, thekson në reagimin e saj, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Kamenicës, Ismete Thaçi.

Ajo thotë se kreu i Komunës, në letrën e tij, ka përmendur “urdhra” nga niveli qendror, por që të cilat, sipas Thaçit, “janë cenim publik i një subjekti politik dhe organeve të tij”, e madje thotë se janë “edhe shumë të patolerueshme”.

Zyrtarja e VV-së, që deri para pak muajsh ishte në të njëjtin subjekt politik me Kastratin, akuzon kryetarin edhe për faktin se “shpenzon kohë duke u marrë me një subjekt politik, e jo me problemet e qytetarëve”.

Tutje, ajo shpreh shqetësimin e saj se si Kryetari i komunës e trajton një drejtore “si gjësend, ndaj të cilës mund të ushtrojë veprime që si rezultat kanë dorëheqjet”.

Thaçi e akuzon kreun e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastratin, apo, siç thotë ajo, “personin që ia ka shkruar letrën”, se “nuk e njeh fushën e arsimit në nivel lokal por as parimet e qeverisjes”.

“Këshilltarët e pakompetentë e kanë nxjerrë edhe qesharak edhe hakmarrës. Pra kush e ka shkruar këtë letër?”, thekson zyrtarja e VV-së, Ismete Thaçi.

Veç tjerash, Drejtorja e DKA-së në Kamenicë, e akuzon Kastratin edhe për ndërhyrje “në rehatimin e pazargjinjve të cilët i kërkojnë vend pune për t’u anëtarësuar në PSD”.

Në fund, ajo thotë se edhe përkundër kërkesës së Kryetarit Kastrati për dorëheqje nga ky post, “mua, Lëvizjen Vetëvendosje dhe asnjë qytetar nuk ka arritur që të na bindë se ka të drejtë në kërkesën e tij”.

“Unë vazhdoj të besoj në platformën qeverisëse me të cilën edhe Qëndroni ka fituar pozitën e Kryetarit të Komunës dhe jam këtu për ta jetësuar atë”, përfundon Ismete Thaçi, Drejtore e Arsimit në Komunën e Kamenicës.