Përplasje mes deputetëve shqiptarë për vetingun në gjyqësor (VIDEO)

0

Komisioni juridik-ligjvënës e refuzoi kërkesën Qeverisë për ta interpretuar nenin 11 të Ligjit për amnisti, me të cilin ish presidenti Gjorge Ivanov amnistoi mbi 50 ish funksionar.

Kryetarja e Komisionit, Sonja Mirakovska vlerësoi se vendimi i atëhershëm i Ivanovit ka qenë i jashtëligjshëm, pasi siç tha është bazuar në nen i cili nuk ekziston dhe për këtë nuk u realizua leximi autentik.

“Si komisionin juridik-ligjvënës propozoj të pajtohemi me të gjitha konstatimet e Qeverisë, por me konstatimin në fund se duhet të jepet lexim autentik, jo, sepse Komisioni juridik-ligjvënës dhe Kuvendi nuk mund të japë lexim autentik të normës e cila nuk ekziston”, tha Sonja Mirakovska, kryetare e Komisionit juridik-ligjvënës.

Por seanca e Komisionit u shndërrua në përplasje mes deputetëve shqiptar të pushtetit dhe opozitës, për atë se “cili cilit duhet t’i bëj veting”.

“Më gëzon fakti që kohës së fundit vetëm kanë filluar edhe partitë tjera të zgjohen nga gjumi dhe ta mbështesin Vetingun që bëhet në sistemin në vendin tonë. Më gëzon fakti, që në deklaratat e fundit, edhe nga partitë e opozitës dhe nga pozita vetëm për pajtohen se vërtetë drejtësia selektive në vendin tonë ka ekzistuar dhe ende ekziston, përderisa bëhet një veting i gjithë të zgjedhurve duke filluar nga sistemi gjyqësor, prokurorial dhe gjithë të zgjedhurve të tjerë”, u shpreh Ejup Alimi nga BDI.

Ndaj kësaj reagoi Fadil Zendeli nga BESA i cili tha se “Vetingun” pushteti duhet ta fillojë nga vetja.

“Çfarë mund të bisedojmë për sistemin e drejtësisë edhe gjatë kësaj qeverisje? E dimë si përfundoi Prokuroria Speciale, e dimë si kanë përfunduar shumë procedura ndaj funksionarëve publik, si zhagitje dhe vjetërsimi i procedurave, dhe në shumë situata tjera, edhe tash kolegu juaj flet për veting. Një qeverisje e kësaj natyre a mund të flasë për Veting, a ka kapacitet politik, a ka kredibilitet funksional. Dhe një qeverisje e tillë deshka të bëj veting, ndaj kujt? Vetingu duhet të fillojë nga vetja”, theksoi Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

Ndaj Alimit reagoi edhe Syrija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët. Ai tha se te BDI-ja ka një problem, se gjithmonë pafajësinë e funksionarëve e kërkon në foltoren e kuvendit, e jo në gjykata.

“Natyrisht se ne nuk jemi as Gjykatë e as prokuror, që paraprakisht të fajësojmë dikë ose të prejudikojmë fajësinë. Po këtu ka një problem, se ju gjithmonë pafajësinë e funksionarëve të juaj e kërkoni nga foltorja e Kuvendit, nga debate televizive dhe nga press qendrat e partisë, kurse vendi ku dëshmohet fajësia dhe pafajësia janë gjykatat, këto gjykata ku ne themi se janë të kalbura dhe të cilave u duhet një reformë”, potencoi Syrja Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët.

Debati në komision erdhi pasi Gjykata Kushtetuese e nisi procedurën për shqyrtim të nenit 11-a të Ligjit për amnisti, me të cilin ish presidenti Gjorge Ivanov pati hequr dorë nga amnistia e vitit 2016-të. Sot Gjykata hoqi dorë nga dhënia e vendimit për vlerësim të kushtetutshmërisë të heqjes dorë së Ivanovit, i cili u pa si mundësi për fuqizim të amnistive të vitit 2016-të. Mes të amnistuarve nga Ivanovi ishin: Sasho Mijallkovi, Nikolla Gruevski, Mile Janakieski, Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski, Gordana Jankullovska, Goran Grujevski, Irena Misheva dhe Lupço Todorovski./Tv21